Një zjarr gjigant i shkaktuar nga një makinë bombë ka shpërthyer në një urë kyçe që lidh Krimenë me Rusinë, një territor që Moska e aneksoi në vitin 2014. Lajmi u njoftua të shtunën nga autoritetet ruse, por ata nuk fajësuan menjëherë Ukrainën lidhur me ngjarjen.
Ura, e cila shërben për transport rrugor dhe hekurudhor, është ndërtuar me urdhër të Presidentit rus Vladimir Putin dhe u inaugur në vitin 2018. Ajo shërbente si një pikë kyçe për transportin e pajisjeve ushtarake dhe trupave ruse që luftonin në Ukrainë.
Ura është vendkalimi i vetëm mes territorit të okupuar të Krimesë dhe Rusisë.
Agjencitë ruse të lajmeve duke iu referuar Komitetit kundër Terrorizmit thanë se makina-bombë shkaktoi gjithashtu shpërthimin e shtatë cisternave me naftë që po transportoheshin për në Krime.
Zëdhënësi i Kremlinit tha se presidenti Putin kishte urdhëruar krijimin e një komisioni për të hetuar ngjarjen.
Kreu i parlamentit rajonal të instaluar nga Rusia në Krime, Vladimir Konstantinov, fajësoi ata që i quajti “vandalët ukrainas”.
Rusia kishte pretenduar më parë se ura ishte e sigurt, pavarësisht luftimeve në Ukrainë, dhe nga ana tjetër kishte kërcënuar Kievin, me hakmarrje nëse ajo sulmohej.
Nëse vërtetohet se pas shpërthimit qëndron Ukraina, kjo do të përbënte një shqetësim serioz për Moskën pasi ura ndodhet larg vijës së frontit të luftës.
Në gadishullin e Krimesë ka pasur disa shpërthime në objektet ushtarake ruse.
Përparimet e fundit të rrufeshme territoriale të Ukrainës në lindje dhe jug të vendit kanë hedhur dyshime mbi pretendimin e Kremlinit për aneksim të Donetskut Luhanskut dhe rajoneve jugore të Zaporizhias dhe Khersonit.
Të katër territoret krijojnë një korridor të rëndësishëm tokësor mes Rusisë dhe gadishullit të Krimesë, dhe së bashku përbëjnë rreth 20% të territorit të Ukrainës./VOA