VOA/ SHBA nxit partitë të mos shkelin ligjin zgjedhor,

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri u bëri sot thirrje partive politike dhe institucioneve të zbatojnë ligjin, rekomandimet e ODIHR-it dhe standartet ndërkombëtare në fushatën e zgjedhjeve vendore, që po afron.

Përmes një deklarate në rrjetet sociale ambasada theksoi gjetjet e misionit të ODIHR gjatë vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare dy vjet më parë, ku “pati raportime të besueshme për blerje votash, presion mbi votuesit dhe keqpërdorim të burimeve shtetërore dhe të dhënave personale”.

Ambasadorja Yuri Kim diskutoi me drejtuesit e partive politike se fushatat zgjedhore të zhvillohen në mënyrë të drejtë, të rregullt dhe transparente.

“Drejtuesit duhet të sigurohen që listat e tyre të kandidatëve të përmbushin kërkesat e ligjit, si dhe pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë për kandidatë të pastër dhe me integritet të lartë”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-ve. Në të theksohet se strategjia e Presidentit Biden Kundër Korrupsionit identifikon korrupsioni, si një kërcënimin unik për demokracinë dhe sigurinë kombëtare.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë kërkesën e popullit shqiptar për një demokraci të fortë. Ne nxisim të gjithë drejtuesit dhe institucionet, që të vazhdojnë të përmirësojnë proceset zgjedhore të Shqipërisë dhe të sigurojnë që Shqipëria ecën përpara në rrugën e saj demokratike”, thuhet në deklaratë.

Afati i fundit që partitë politike të dorëzojnë listat e kandidatëve për kryebashkiakë është 27 marsi. Partitë politike po shtojnë përpjekjet për të mbyllur këto lista brenda afatit me kandidatët e tyre më të mirë.

Partia Socialiste ka konfirmuar dhe rikonfirmuar jozyrtarisht pjesën më të madhe të kandidatëve për kryetarë në bashkitë më të mëdha. Kryesia e saj mblidhet të shtunën pasdite për të shqyrtuar kandidatët.

Në radhët e opozitës, Partia Demokratike e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj u regjistrua nga Komisioni i Zgjedhjeve si subjekt zgjedhor dhe tani është në fazën e përgjedhjes së kandidatëve.

Ai bëri të ditur se pas mbledhjes së grupit parlamentar se të shtunën Ndërsa grupi mbështetës i ish kryeministrit Sali Berisha nuk u regjistrua nga KQZ si subjekt zgjedhor dhe kandidatët e tyre do të përfaqësojnë në zgjedhjet koalicionin e tyre me Partinë e Lirisë.

Ish kryeministri Berisha refuzoi kategorikisht ftesën e Alibeajt për kandidatë të përbashkët nga të dy pjesët e partisë.

Mospajtimet i kanë larguar palët përherë e më shumë, dhe nuk shihen shenja për ndonjë afrim mes tyre, qyshkur zoti Berisha u shpall familjarisht non grata për korrupsion dhe cënim të demokracisë nga SHBA-të dhe u përjashtua për këtë nga grupi parlamentar prej ish kryetarit Lulzim Basha./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​451 persona të angazhuar direkt nga granti i Kosovës për Luginën

Story i radhës

​Kurti: Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë

Të fundit nga