VOA: Kosovë, strehohet gazetarja e parë nga Ukraina

April 18, 2022
min lexim

Lyudmila Makey, gazetarja e parë ukrainase që u vendos në Kosovë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë”, tha të hënën në Prishtinë se ndihet mirënjohëse për mundësinë e vazhdimit të punës së saj nga një vend i sigurtë.

“Më ka bërë shumë përshtypje se si dhimbja e vendit tim ndihet në zemrën e popullit të Kosovës. Ajo godet deri në lot sepse e di se sa e vështirë është të shërohen plagët e lëna nga një luftë e tmerrshme në shpirtin e vendin tënd. Jam mirënjohëse ndaj qeverisë së Kosovës për mbështetjen që i ka dhënë popullit të Ukrainës në këtë moment të vështirë”, tha zonja Makey.

Ajo tha se projektet e të tilla janë shumë të rëndësishme në mënyrë që Evropa dhe mbarë bota të dëgjojnë të vërtetën për Ukrainën.

“Secili prej nesh e kupton se fjala është arma jonë për t’iu afruar fitores. Fatkeqësisht puna si gazetar në Ukrainë është bërë shumë e rrezikshme. Rusët i vrasin të gjithë pavarësisht moshës, gjinisë, kombësisë, profesionit. Që nga fillimi i luftës më shumë se 21 gazetarë kanë vdekur në duart e pushtuesve rusë, jo vetëm ukrainas, por lituanezë, amerikanë, irlandezë dhe të tjerë”, tha ajo.

Zonja Makey tha se deri tash mbi 25 kolegë të saj gazetarë në Ukrainë janë zhdukur, duke nënvizuar se vrasja dhe zhdukja e gazetarëve i përshtatet Rusisë.

“Ishte paradoksale se si kur më telefonuan të afërmit e mi nga Rusia për të pyetur si jam, unë u tregova të vertetën se ka bombardime dhe gjithçka është tmerr. Por këta të afërm më nuk më besonin, më thonin ‘ju po e sulmoni vetveten’ sepse këtë e kanë dëgjuar në televizionet e tyre. Në Rusi lufta po quhet operacion special, e për Ukrainën kjo është tragjedi e madhe dhe gjenocid. Për këtë arsye Putini nuk ka interes që bota të dëgjojë të vërtetën”, tha zonja Makey.

Ajo tha se në Kosovë ka gjetur ngrohtësinë dhe emocionet pozitive, të cilat nuk i kishte ndjerë që nga 24 shkurti kur filloi agresioni rus në Ukrainë.

“Para disa kohe unë shkova në një koncert të filarmonisë dhe dëgjova muzikë shumë të mirë. Por, të nesërmen u zgjova duke dëgjuar zhurmën e aeroplanëve që shiheshin nga dritaret e banesës. Kisha dëgjuar më parë se Putini dhe Rusia duan të na pushtojnë, por deri atë ditë nuk e kisha besuar”, tha ajo.

Flutura Kusari përfaqësuese e Qendrës Evropiane për Liri të Medias, nëpërmjet së cilës po zbatohet zotimi i qeverisë së Kosovës për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, tha se ka edhe disa kërkesa nga gazetarët për t’u vendosur në Kosovë, të cilat janë në proces verifikimi.

“Me buxhetin që është ndarë për këtë projekt, që është 150 mijë euro për periudhën kohore prej gjashtë muajsh, gazetarët që vijnë në Kosovë do të marrin 500 euro për shpenzime mujore, 300 euro për qera të banesës dhe rreth një mijë euro për udhëtim për të ardhur në Kosovë dhe për t’u kthyer në vendin e tyre kur të vijë koha e duhur”, tha zonja Kusari.

Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për të mbështetur gazetarët ukrainas që zgjedhin të qëndrojnë në Kosovë.

“Ne kemi zgjeruar stafin me mbështetje nga OSBE dhe European Endowment for Democracy, të cilët do të na ndihmojnë për ta zbatuar këtë projekt aktivisht në mënyrë që gazetarët nga Ukraina ta përjetojnë Kosovën si shtëpi të dytë. Kjo hapësirë e AGK-së sado modeste do të shërbejë për gazetarët e parë si vend pune, por ne falenderojmë edhe mediat tjera që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ofruar hapësira”, tha ai.

Projekti i strehimit të gazetarëve ukrainas u përshëndet të hënën edhe nga kryetari i Unionit Kombëtar të Gazetarëve në Ukrainë, Sergiy Tomilenko, i cili nismën e autoriteteve të Kosovës e quajti projekt të shkëlqyeshëm për të mbrojtur gazetarinë, siç tha, të vërtetë dhe të pavarur nga pushtuesit brutalë.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, tha se edhe shtetet tjera të Evropës duhet të ndjekin shembullin e Kosovës.

Në Kosovë agresioni i Rusisë në Ukrainë ka nxitur solidarizimin e institucioneve dhe qytetarëve me Ukrainën. Qeveria e Kosovës ka hequr regjimin e vizave hyrëse për shtetasit e Ukrainës, ka caktuar një fond prej 150 mijë eurosh për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina, ndërsa është zotuar që të ofrojë strehim për rreth 5 mijë refugjatë ukrainas./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Zyrtari ukrainas: Rusia ka nisur ofensivën e re në lindje

Story i radhës

Kosova përballet me valët më të mëdha të sulmeve kibernetike

Të fundit nga

ShkoLartë