Shqipëria nisi sot bisedimet konkrete të anëtarësimit me Bashkimin Europian, për grupkapitujt e parë, me organizimin në Luksemburg të Konferencës së dytë ndërqeveritare. I quajtur “Themeloret”, ky grupkapitujsh, është dhe më kryesori. Ai hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Kryeministri Edi Rama, foli për një ditë me domethënie historike për vendin e tij. Ndërsa ministri i Jashtëm hungarez tha se janë mundësitë që brenda vitit të hapet dhe një tjetër grupkapitujsh
Shqipëria mori nga Komisioni Evropian rekomandimin për hapjen e bisedimeve në vitin 2018 ndërsa nga Këshilli Evropian në mars të viti 2020. U deshën dy vite të tjera që mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian të mbahej, konferenca e parë ndërqeveritare. Vetëm sot, pas edhe dy vitesh të tjera, vendi ka hyrë realisht në procesin e anëtarësimit, me nisjen e bisedimeve për grupkapitujt e parë.
Pas mbledhjes mes palëve, ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó, vendi i të cilit ka presidencën e radhës së BE-së, deklaroi se “momentet që kemi përjetuar gjatë kësaj një orë e gjysmë të fundit kane qenë historike, sigurisht duke pasur parasysh faktin se kemi çelur grupin e parë të kapitujve me Shqipërinë, që do të thotë, duke folur në mënyrë substanciale, bisedimet e anëtarësimit kanë nisur për t’u siguruar që Shqipëria të bëhet anëtare e BE sa më shpejt të jetë e mundur.”
Edhe komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi ishte në të njejtën linjë. Ndërsa foli për “një vendim të rëndësishëm”, ai tha se “tashmë është çelur rruga për bisedimet thelbësore çka nënkupton që tashmë do të negociojmë kushtet në të cilat Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.”
Kryeministri Edi Rama e konsideroi ditën e sotme si një moment “me domethënie historike”, për Shqipërinë por dhe për BE-në, e cila sipas tij u zgjua, pas agresionit rus në Ukrainë.
“Kështu çelja e grup kapitullit themelor sot me 5 kapitujt kryesor plus tri kriteret përbën një arritje të madhe dhe besoj për të dy palët, qoftë për Shqipërinë, ashtu edhe BE-në dhe shënjon një gur themeli historik në rrugëtimin e përbashkët drejt ribashkimit tërësor evropian”.
Grupkapitujt e parë, të njohur si “Themeloret”, janë më të rëndësishmit në të gjithë procesin e bisedimeve. Ata hapen në fillim, dhe janë të fundit që mbyllen, duke qenë se prekin tema me peshë që nga gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar.
Kryeministri Edi Rama u angazhua për përmbushjen pa vonesë të detyrimeve që rrjedhin nga bisedimet, ndërsa sipas tij objetivi është që vendi të anëtarësohet brenda 6 viteve të ardhshme.
Me tone ta forta kritika ndaj disa prej vendeve anëtare që siç ta “ndryshe flasin në publik e ndryshe në salla të mbyllura”, ministri i jashtëm Szijjártó, u shpreh se shpreson që “brenda mandatit të presidencës hungareze, të mund të hapet një tjetër grupkapitujsh me Shqipërinë, që ka të bëjë më marrëdhëniet me jashtë dhe është e qartë që praktikisht, pragmatikisht po ta shohësh këtë çështje Shqipëria është gati”./VOA
BURIMI: Bota Sot