Nga VMRO-DPMNE përsëritën se do të presin qeveri të qëndrueshme politike në Bullgari me të cilën do të bisedonin për procesin eurointegrues. Qëndrimi mbetet i pandryshuar edhe krahas mesazhit të presidentit bullgar Rumen Radev se dialogu i këtillë duhet të udhëhiqet me Bruksel ndërsa Sofja pret që të respektohet ajo që tashmë është dakorduar.
“Me padurim presim që të zgjidhet qeveria politike e cila do të ketë legjitimitet politik”, tha Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE.
Radevi paraprakisht tha se kriteret për Maqedoninë për hapjen e klasterave janë të njohura dhe njëkohësisht e hodhi poshtë idenë e kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban për ndërmjetësi mes Shkupit dhe Sofjes.
“Të gjitha këto punë ia shpjegova kryeministrit Viktor Orban dhe këtu nuk kemi nevojë për ndërmjetësi, punët janë të qarta”, deklaroi Rumen Radev – president i Bullgarisë.
Ndërkohë, pushteti përgatit letër me propozim zgjidhje për zhbllokim që do t’ia dërgojë Brukselit. Detajet e letrës do të dihen pasi kryeministri Hristijan Mickoski kthehet nga vizita e punës në Berlin. Opozita paralajmëron se do të jetë konstruktive për, siç thonë, zgjidhje reale në rrugën eurointegruese. Nga LSDM theksuan se deri më tani pushteti nuk i ka kontaktuar.
“Nëse presin se LSDM në mënyrë naive do të japë përkrahje për idetë që do të thoshin bllokada të mëtutjeshme, zgjidhje në të cilat nuk beson askush tjetër përveç tyre, gjithsesi se nuk do të jemi paravan për politikat e tyre destruktive”, potencoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Euroambasadori i ri në vend, Mihalis Rokas theksoi se vështirë që në BE të pranohet propozimi për ndryshime kushtetuese me prapaveprim siç kërkon Qeveria e re, për shkak se vendimi i këtillë mund të sillet vetëm me pajtueshmërinë e të gjitha vendeve anëtare.
Burimi: tv21