VMRO-DPMNE ka shpalosur sot edhe një akuzë ndaj qeverisjes së kaluar LSDM-BDI. Duke folur në konferencën për media të titulluar “shteti i grabitur”, zëdhënësja dhe deputetja e kësaj partie Marija Miteva, tha se janë harxhuar 100 milionë euro për gjoja ndihmë ndaj kompanive në kuadër të ndihmës shtetërore për përballje me krizën që shkaktoi pandemia, por sipas saj askush nuk e di se për çfarë, si dhe me ku kanë përfunduar ato para. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi, tha Miteva.
“Po ku përfunduan paratë?! Me shumë gjasa, mendohej për “IGM Elenica”, e cila ishte një nga kompanitë që mori ndihmë shtetërore për pagesën e pagave minimale gjatë krizës së shkaktuar nga virusi korona. Shoqëria aksionare menaxhohet nga Trajçe Zaev, kushëriri i Zoran Zaevit, ndërsa Vice Zaev, vëllai i kryetarit të atëhershëm, ishte anëtar i Bordit Drejtues. Kështu kanë përfunduar paratë nga e ashtuquajtura ndihmë shtetërore”, tha Marija Miteva, zëdhënëse-deputete e VMRO-DPMNE-së.
Burimi: tv21