VMRO-DPMNE-ja vazhdon të akuzojë institucionet e sigurisë se do të furnizohen me një sistem për përgjimin e të dhënave në internet të të gjithë shfrytëzuesve, në pajisje të ndryshme.
Deputeti Igor Janushev kërkoi sqarim nga ministri i Brendshëm Oliver Spasovski, a ka dhënë leje për një furnizim të tillë dhe a është kujdesur që të respektohet ligji gjatë furnizimit. Pyetjen e bëri në seancën për pyetjet e deputetëve në Kuvend.
“Bëhet fjalë për sistem për ndjekjen e komunikimeve përmes të cilit keni qasje deri te i gjithë, pikërisht i gjithë trafiku i internetit në cilëndo pajisje, cilindo telefon, cilindo operatorë, cilido person në shtet, pa marrë parasysh a është privat a zyrtar, si dhe qasje te secila pajisje ose telefon me softuerin e të ashtuquajtur djallëzor”, deklaroi Igor Janushev, VMRO-DPMNE.
Ministri Spasovski nuk zbardhi shumë. Ai vetëm tha se çështja e këtij furnizimi është informacion i klasifikuar.
“Me siguri e keni fjalën për furnizimin që duhet të bëjë Agjencia Teknike Operative dhe jo Ministria për Punë të Brendshme. Nëse e keni fjalën për atë furnizim dhe veprimet që kemi ndërmarrë, kemi dorëzuar dokumentacion të plotë deri te komisioni për të gjitha çështjet, përfshirë edhe këto për të cilat tani më bëni pyetje. Ky është informacion i klasifikuar dhe s’mund të zbardh më shumë”, u përgjigj Oliver Spasovski, ministër i Brendshëm.
Spasovski tha para deputetëve se përgjimi për momentin në vend, bëhet vetëm në bazë të urdhrave gjyqësor dhe asgjë jashtë kësaj. /Alsat.mk