U bë vite në skenë, këngëtare dhe nënë e përkushtuar e gjashtë fëmijëve. Vlora Kastrati Shala është nga Peja, por jeton dhe vepron në Gjermani. Një karrierë dhe jetë interesante, të cilën ajo e rrëfen në këtë intervistë. Vlora nuk harron të këshillojë koleget këngëtare që të martohen dhe të lindin fëmijë.
U bënë shumë vite që je në skenë dhe krijon këngë, na thuaj si eci gjithë kjo periudhë?
Po, kaluan disa vite dhe jam shumë e kënaqur, e gjithë periudha ka ecur shumë mirë, unë edhe në kohë të vështirë të pandemisë kam punuar projekte e këngë të reja. Jam pritur shumë mirë nga gjithë publiku. Ju jam falënderuese. Falë punës të palodhshme edhe të mjeshtrit Florent Boshnjaku.
Ndonëse jeton në Gjermani, nuk e harron Kosovën, jeni të lidhur familjarisht dhe pushimet e verës i bëni këtu?
Në Gjermani jam nga viti 1990, këtu erdha me familjen kur isha fëmijë, por lidhja me vendin tim është shumë e fortë, kam shoqëri qysh nga fëmijëria dhe i takoj vazhdimisht. Pushimet çdo herë i bëjmë në Kosovë e Shqipëri dhe fëmijët mezi presin me e vizitu vendin tonë.
Kush është Vlora me pak fjalë?
Vlora është një nënë po besoj si të gjitha nënat shqiptare, e fortë dhe ja del me atë që dua të bëj e realizoj. Vlora është e sinqertë, e dashur dhe e qetë. I dua njerëzit dhe gëzohem bashkë me gëzimet e tyre. Vlora është një nënë e gjashtë fëmijëve, e prej tyre 3 janë trinjakë. E dua jetën dhe muzikën.
Krahas muzikës, me çfarë tjetër merreni?
Krahas muzikës, merrem me sport. Çdo herë primare është familja.
Si e organizon një ditë nga mëngjesi deri në darkë?
Pasi jemi familje e madhe është ndoshta pak ndryshe, por në mëngjes zgjohem në orën 6:00, përgatis mëngjesin për 8 persona. Merrem me trinjakët dhe tre fëmijët tjerë, kështu që shkon dita shumë shpejt. E në mbrëmje i kthehem studios e muzikës. Të gjitha i bëj me plan orar, sepse nuk bën ndryshe. Nuk guxoj ta ndërroj rutinën sepse pastaj është e vështirë të organizohem, andaj mundohet të mbaj në rregull të gjitha.
Sa projekte muzikore ke realizuar deri më tani dhe cilat janë planet për muzikë në të ardhmen?
Nuk e di saktë, por për këtë periudhë ka mjaft projekte, po punoj rreth muzikës shumë dhe po premtoj që do sjell edhe një album të mrekullueshëm.
Je nënë e gjashtë fëmijëve, si është të menaxhosh një familje të madhe?
Siç e ceka më lart, jam nënë e 6 fëmijëve, nuk është e lehtë të menaxhosh një familje të madhe, por i bëj gjërat me përkushtim e dashuri, me orar dhe plan. Funksionojmë shumë mirë bashkë dhe e rëndësishmja është që të gjithë jemi të lumtur.
Sa ju ndihmon bashkëshorti në këtë drejtim?
Dua të them disa fjalë për bashkëshortin, jemi njohur kur ishim shumë të rinj, jemi rritur bashkë dhe Gazi është krahu im i djathtë jo vetëm në muzikë, sepse është muzicient, por edhe në familje.
E veçantë është se ke edhe trinjak?
E gjithë kjo më të veçantë e bën ardhjen në jetë të trinjakëve, një ndjenjë që nuk e përshkruaj, është thjesht mrekullia e Zotit.
Një porosi juaja për koleget që ende nuk janë martuar e nuk kanë bërë fëmijë?
Të gjitha kolegeve që nuk janë martuar, edhe pse i dinë punët e veta, unë preferoj të martohen dhe të bëjnë fëmijë, unë kam dashur së pari familjen e pastaj karrierë, me fëmijë nuk krahasohet asgjë.