Vllaznia dhe Elbasani kanë zbritur dje në parketin e pallatit të sportit “Qazim Dervishi” për ndeshjen e prapambetur të javës së dytë në Superligën e volejbollit të meshkujve.
Një takim debutues në kampionat për shkodranët, të cilët kishin qëndruar pushim në javën e parë. Ndonëse me vetëm 7 lojtarë dhe 1 libero, Elbasani bëri befasinë në setin e parë, duke fituar 18-25, ndërsa Vllaznia u fut “e përgjumur”. Seti i dytë nisi me rivalitet, por gradualisht skuadra e Artan Kalasë mori komandën, për të fituar 25-21, duke vendosur baraspeshën. Vllaznia kishte epërsi edhe më të madhe në setin e tretë, të cilin e mori në shifrat 25-18, për të përmbysur në 2-1.
Në setin e katërt vendësit e marrin shpejt avantazhin, ndërsa në fund Gilman Talani realizon “match point”-in, duke vulosur setin 25- 21 dhe të gjithë takimin 3-1. Nikolin Qafarena me 18 pikë ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes, duke udhëhequr Vllazninë te fitorja. Për Elbasanin pikëshënuesi më i mirë ishte Brajan Thano (15).
Ndërkohë Superliga do të vijojë nesër me ndeshjet e javës së tretë, teksa takimi hapës do të jetë ndërmjet Tiranës dhe Teutës në orën 18:00 në sallën “Farie Hoti”. Më tej në orën 19:00 në “Asllan Rusi” do të luhet përballja e kryesuesve ndërmjet Partizanit kampion në fuqi dhe Studentit. Java do të mbyllet me ndeshjen e së shtunës mes Skënderbeut dhe Vllaznisë në orën 12:00 në Korçë.
Burimi: botasot.info