Vllaznia ka nisur dje minifazën përgatitore në Ulqin, aty ku do të qëndrojë 10 ditë, për t’u përgatitur sa më mirë në prag të finales së Superkupës ndaj Tiranës, që do të zhvillohet më 7 dhjetor. Skuadra zhvilloi dje në orën 15:00 në qendrën stërvitore të Ulqinit seancën e parë.
Ashtu si në Shkodër, edhe në qytetin fqinj në Malin e Zi, ka pasur reshje të shumta shiu gjatë ditës së djeshme, me temperatura që varionin nga 10 deri në 15 gradë celsius. Megjithatë, kjo nuk e pengoi trajnerin Mirel Josa për të kryer të plotë programin stërvitor. Pritet që në ditët në vijim të ketë nga dy seanca në ditë për kuqeblutë, në mënyrë që gjendja fizike e lojtarëve të vijë në rritje, pasi ekipi ka qenë pushim për një javë.
Përveç mbrojtësit malazez, Darko Bulatoviç, i cili e ka mbyllur vitin për shkak të dëmtimit, në grumbullimin e skuadrës nuk është paraqitur në dy ditët e fundit as sulmuesi kroat, Ante Aralica. “Panorama Sport” mëson se lojtari ka marrë leje nga klubi për t’u bashkuar pak ditë me vonesë në stërvitje. Pritet që këto ditë Aralica të bashkohet me ekipin dhe të vijojë normalisht stërvitjen.
Nga ana tjetër, burime në klub tregojnë se malazezi Bulatoviç do të jetë në dispozicion të Josës vetëm në janar. Stafi ka 15 ditë kohë për të përgatitur finalen e Superkupës, një trofe që është fituar dy herë nga Vllaznia në vitet 1998 dhe 2001. Gjithashtu në tri raste shkodranët kanë dështuar në finale, pikërisht në vitet 1992, 2008 dhe së fundmi ndaj Teutës në vitin 2021