Vllaznia ka shumë probleme për sa u përket dëmtimeve gjatë kësaj faze të parë të kampionatit. Arsyeja e dëmtimeve të disa prej lojtarëve titullarë ende nuk dihet.
Por tanimë është e qartë se skuadra e Josës ndaj Laçit, në takimin e së dielës në orën 15:00, do të shkojë me plot gjashtë mungesa të rëndësishme apo më shumë se 60% të lojtarëve bazë.
Sulmuesi Kaina Nunesh do të jetë një tjetër mungesë në listën e teknikut Josa, pas pesë lojtarëve, që tanimë janë konfirmuar. Braziliani nuk është paraqitur në stërvitjen e djeshme dhe shkaku mësohet se është një dëmtim në këmbë.
Kaina është preferuar në këto takime të para të këtij sezoni para sulmuesit kroat, Ante Aralica.
Ai ka arritur të shënojë një gol në fitoren 1-2 të Vllaznisë përballë Tiranës, por edhe të fitojë atë 11-metërsh, që i dha kuqebluve golin e parë në atë takim.
Kështu, pas Latifit, Boshnjakut, Heriçit, Hakajt dhe Jonuzit, shtohet edhe Kaina në listën e lojtarëve jo të gatshëm për Josën për përballjen e nesërm në Laç.
Pavarësisht se Boshnjaku bëri disa ditë stërvitje me ekipin, duke kërkuar që luajë në këtë takim, sërish mësohet se ai nuk do të jetë në fushën e lojës edhe ndaj Laçit.
Stafi mjekësor mendon se atij dhe Hakajt, që ishte dje në stërvitjen e ekipit nuk i është ndezur ende drita jeshile për të luajtur.