“Vlerat që barte Iliri i bartin me krenari ushtarët e FSK-së”

Një e nga një po vinë për të bërë homazhe tek varret e dëshmorëve në Velani të Prishtinës.

Kjo pasi sot është 26 vjetori i rënies së Heroit të Kombit, Ilir Konushevci dhe dëshmorit Hazir Malaj.

Në këtë organizim nuk po mungojnë as familjarët dhe bashkëluftëtarët.

Me buqetë me lule erdhi edhe nipi i Ilir Konushevci, i cili edhe mban emrin e tij.

I pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

“Pushkët që i mbanin ushtarët e UÇK-së ishin pushkët e Ilirit, andaj kontributi i tij është i paçmueshëm sepse është i pamatshëm. Bashkë me doktor Hazir Malën, komandanti Ilir Konushevci është emër i artë në historinë moderne të Kosovës e cila është në themel të shtetit tonë dhe të lirisë sonë si popull”, tha Kurti.

Këshilltari ushtarak i presidentes Vjosa Osmani, Gjeneral Sefer Isufi, tha se personaliteti i heroit Konushevci, bartet me krenari nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Në nderim të njërit prej themeluesve të UÇK, njeherit të lokomotivës së logjistikës së UÇK-së, heroit të Kombit Ilir Konushevci në 26-vjetorin e rënies së tij. Vlerat e ushtarakut që barte personaliteti i jashtëzakonshëm i heroit Ilir Konushevci janë vlera të cilat i bartin me krenari të gjithë ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe janë udhërrëfyes se si sakrifikohet dhe flijohet për çlirimin, lirinë pavarësinë dhe mirëqenien e kombit. Andaj në emër të presidentes Osmani edhe njëherë lutemi që nderimi, përkujtimi dhe krenaria për heroin Ilir Konushevci të jetojë për jetë”, tha ai.

Në nderim të tyre, i pranishëm ishte edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Ai tha se gjaku i derdhur i dëshmoreve është momenti më i rëndësishëm si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë.

“Sot jam këtu që Epopeja e UÇK-së apo gjithë atyre që derdhen gjakun për Kosovën është një moment tepër i rëndësishëm qoftë për Kosovën qoftë edhe për Shqipërinë. Sot këtu dua të them edhe diçka nga vetja ime. Unë kam marr pjesë këto muaj në shumë akademi përkujtimore anë e mbanë Kosovës, ku kam shprehur respektin tim por dhe të Shqipërisë për këta njerëz që derdhen gjakun për ditën e sotme që jeton rinia e Kosovës”, u shpreh Malaj.

Homazhe tek dëshmorët Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj ka bërë edhe i pari i AAK-së Ramush Haradinaj.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës në një postim në Facebook, ka shkruar se vrasja e Ilirit bashkë me Hazir Malajn ishte një humbje e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Story i mëparshëm

Ilya Gambashidze, personi që qeveria amerikane akuzon për fushatën e dezinformimit të Kremlinit

Story i radhës

Zbulime të reja arkeologjike në Durrës

Të fundit nga