Koalicioni qeverisës VLEN ka publikuar një video tronditëse në faqen e tyre zyrtare në Facebook, si përgjigje e ashpër ndaj hipokrizisë së vazhdueshme të BDI-së dhe liderit të saj, Ali Ahmeti, në përvjetorin e Ditës së Dëshmorëve të Kombit.
Në një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe pa mëshirë për përgjegjësit e historisë së errët të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, VLEN u kujton qytetarëve një realitet të hidhur: komandantë të vrarë, luftëtarë të tradhtuar, dhe shqiptarë të pafajshëm të dënuar përjetësisht – kjo ishte trashëgimia e BDI-së në pushtet.
Pamjet e publikuara në video përfshijnë momentet tragjike të luftimeve në lagjen e Trimave në Kumanovë, ku komandantë dhe luftëtarë u vranë ose u burgosën, ndërkohë që Ali Ahmeti heshti – siç ka heshtur gjithmonë kur bëhet fjalë për fatin e shqiptarëve, thuhet në postimin e VLEN.
Në video shfaqet edhe rasti tragjik i komandant Shqiponjës, ku babai i tij në mënyrë publike dhe të drejtpërdrejtë ka akuzuar pikërisht Ali Ahmetin si përgjegjës për vrasjen e të birit.
Nuk mungon as rasti famëkeq Monstra, ku shqiptarë të pafajshëm u dënuan me burg të përjetshëm, në një proces të montuar që kaloi me heshtjen dhe pajtimin e BDI-së.
Videoja mbyllet me pamje ku Ali Ahmeti qesh në mënyrë frenetike, teksa ekrani mban mbishkrimin goditës: “Vula e BDI-së” – një simbol i dhimbjes dhe padrejtësisë ndaj shqiptarëve që, për vite me radhë, u përdorën si numër votash për ta mbajtur në pushtet një elitë të komprometuar dhe të pashpirt.
VLEN thekson se koha e manipulimeve dhe e heshtjes së qëllimshme ka marrë fund. Tani më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për drejtësi, për të vërtetën dhe për një përfaqësim dinjitoz që nuk i përdor heronjtë si dekor, por i nderon me vepra.