4
Shkup, 15 korrik – Koordinimet brenda ekipit qeveritar të VLEN-it po vazhdojnë me intensitet dhe përkushtim të lartë. Izet Mexhiti, një nga figurat kyçe të koalicionit, ka bërë të ditur se para mbledhjes së fundit të Qeverisë është zhvilluar një takim i rëndësishëm koordinues me zëvendëskryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, zëdhënësen e Qeverisë, koordinatorin e grupit parlamentar dhe bashkëpunëtorët më të afërt, përcjell Zhurnal.mk.
“Jemi një ekip me përgjegjësi të qarta dhe objektiva të përbashkëta. Qeverisja jonë është ndryshe: e drejtë, transparente dhe e fokusuar te qytetari”, theksoi Mexhiti.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u morën disa vendime thelbësore, ndër të cilat. Miratimi i projektligjit për Medresenë dhe Lojërat e Fatit.
Investim prej 205 milionë euro në sektorin e shëndetësisë, që përfshin ndërtimin e dy pavijoneve të reja në spitalin e Tetovës, ndërtimin e spitalit të ri në Kërçovë dhe modernizimin e spitalit në Shtip.
Të gjitha objektet do të pajisen me aparaturë moderne dhe do të përfshihen në procesin e digjitalizimit të sistemit shëndetësor.
Fillimi i projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit në fshatrat Luboten dhe Lubanc të Komunës së Butelit, me një vlerë prej 110.5 milionë denarë.”
Mexhiti theksoi se vendimet e marra nuk janë pjesë e një politike ditore, por pjesë e një vizioni strategjik afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm dhe barazi për të gjithë qytetarët.
“Koordinime si ky i sotmi janë garanci se zëri i shqiptarëve është i pranishëm dhe vendimtar në çdo nivel”, deklaroi Mexhiti, duke shtuar se VLEN do të vazhdojë me transparencë, vizion dhe përkushtim të plotë ndaj qytetarit.
VLEN premton vazhdim të reformave konkrete dhe qeverisje të ndershme, duke vendosur interesin publik mbi gjithçka.
Burimi: zhurnal.mk


