Nga koalicioni VLEN akuzojnë opozitën se me ndikimin e tyre, Gjykata Kushtetuese ngriu mekanizmin e Balancuesit. Nga VLEN sigurojnë se deri në zgjidhjen me ligj, nuk do të pengohet punësimi i shqiptarëve në institucione publike.
“Ziadin Sela me urdhër të Ali Ahmetit ka dy ditë që po përpiqet të mbulojë disfatën e tyre. Njoftimet se do të propozojnë Ligjin për përfaqësim të drejtë duken tejet joserioze. Të ishin të aftë, do ta kishin zgjidhur këtë çështje kur ishin në pushtet. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ngrirjen e Balancuesit, është një konfirmim se BDI në vend që të përdorë funksionet në Qeveri me LSDM-në e delegjitimuar për zgjidhje sistematike të statusit të shqiptarëve, iu përkushtua grabitjes së parasë publike dhe pasurimit personal. Prandaj, ne jemi duke hartuar një ligj për përfaqësim të drejtë, të cilin do ta vëmë në shqyrtimin e publikut ekspert me debat publik, për të marrë një zgjidhje efikase dhe të qëndrueshme që do të jetë plotësisht e zbatueshme në praktikë dhe do t’u mundësojë shqiptarëve të punësohen në institucionet shtetërore në bazë të aftësive profesionale dhe jo për shkak të përkatësisë partiake. Ngrirja e balancuesit nuk do të pengojë punësimin e shqiptarëve në organet e administratës shtetërore edhe në këtë periudhë të vakumit ligjor, sepse është një nga parimet e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe kategori kushtetuese”, thuhet mes tjerash në reagimin e VLEN.
Burimi: tv21