Kërkesa e deputetes socialdemokrate Jovana Trençevska që “Ligji i branitellave” të futet në rend dite të Komisionit për Politikë Sociale sërish hasi në kundërshtimin si të deputetëve të VLEN-it po ashtu edhe atyre të Frontit Europian. Kryetarja e komisionit, deputetja opozitare Ilire Dauti, refuzoi që ligji të futet në rend dite, duke cituar pjesë nga Rregullorja për punën e Kuvendit, por edhe në parimin e barazisë së qytetarëve.
Deputetja e shumicës, nga radhët e koalicionit VLEN, Imërlije Saliu, përpjekjen për rikthimin e ligjit të Branitellave e vlerësoi si provokim. Shtoi se me të përkeqësohen raportet ndëretnike.
Kryetarja e komisionit, Ilire Dauti, tha se është e gatshme të thërrasë debat publik ku do të gjejnë zgjidhje edhe për pjesëtarët e policisë dhe ushtrisë, por edhe për pjesëtarët e UÇK-së.
Përndryshe, propozimndryshimet aktuale të LSDM-së parashohin rritje të kompensimit financiar vetëm për invalidët dhe familjet e pjesëtarëve të ARM-së që humbën jetën në konfliktin e vitit 2001 por edhe të zgjerohet edhe me pjesëtarë të tjerë të ish pjesëtarëve të forcave të sigurisë.
Burimi: TV21