Sot do të mbahet ceremonia e nënshkrimit letrën e aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Sipas njoftimit të Presidencës, ceremonia do të mbahet nga ora 11:00, në Kabinetin e Presidentes.
Në këtë ceremoni do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani Sadriu, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri, Albin Kurti.
Pas ceremonisë së nënshkrimit tre krerët e Shtetit do të kenë deklaratë për media.
Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë, ka bërë të ditur se këtë javë do të dorëzojnë aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti ka thënë se BE është vend i paqes, barazisë e prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës natyrshëm e ka vendin në këtë bashkësi si vend paqedashës e demokratik.
“Para një jave në Samitin e Tiranës me deklaratën e përbashkët BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit. Andaj aplikimi ynë në BE i përgjigjet premtimit që BE ka dhënë për anëtarësim rajonit nga Samiti i Selanikut të vitit 2003, por edhe përgjigjes të atij para një javë në Shqipëri. BE është vend i paqes barazisë e prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës natyrshëm e ka vendin në këtë bashkësi si vend paqedashës e demokratik”, tha Kurti.