Vjosa Osmani në New York, kërkon përmbyllje “urgjente” të çështjes së vizave

min lexim

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka kërkuar përmbyllje “urgjente” të çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, gjatë takimit me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Borrell më 20 shtator zhvilloi një takim në Nju Jork me liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në takim, Osmani tha se ka potencuar edhe përkushtimin e Kosovës për “paqe e stabilitet dhe për rrugën euroatlantike”.

Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk është pjesë e lëvizjes së lirë pa viza në zonën Shengen. Së fundmi, është thënë se ky proces ka hyrë në fazën vendimtare dhe është paralajmëruar se ekziston një momentum i mirë për të shtyrë këtë çështje përpara.

Takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, u mbajt në kohën kur në Nju Jork zhvillohen takimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Bashkimi Evropian ende nuk ka dhënë detaje për këtë takim, por burimet diplomatike i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se në këtë takim temë e diskutimit do të jetë situata globale, e cila ka ndryshuar pas pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sa i përket luftës në Ukrainë, siç bëri të ditur Presidenca e Kosovës, Osmani ka porositur se “askush në rajon nuk duhet t’i shërbejë si satelit” Rusisë, me qëllim të “destabilizimit të rajonit”.

Pikërisht, lufta në Ukrainë është përmendur disa herë si arsye shtesë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të zgjidhë sa më shpejt çështjet e hapura, me qëllim që të parandalohen tensionet.

Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Vetë Borrell, gjatë rundit të fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë – që u mbajt pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës – tha se në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës, “nuk është koha për rritjen e tensioneve, është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kamotshme”.

Vuçiq njofton për “tërheqjen” e një njohjeje për Kosovën
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka marrë pjesë në takimin me Borrellin, dhe në takimet e Asamblesë së OKB-së, tha se pavarësisht se shteti i tij po kalon nëpër një periudhë të vështirë, ai ka “një lajm të mirë” për qytetarët e Serbisë.

“Kam marr një tjetër njoftim për tërheqje të njohjes për Kosovën, kështu që ne po forcojmë pozicionin tonë dhe në këtë kuptim do të vazhdojmë të luftojmë dhe do të thirremi në të drejtën publike ndërkombëtare dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha ai përmes një postimi në Instagram.

Kosova edhe në të kaluarën e ka akuzuar Serbinë se zhvillon fushatë të ashpër për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe për ta bllokuar Prishtinën që të anëtarësohet në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtar. Serbia edhe më herët ka pretenduar se disa shtete kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, por në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës figurojnë 117 shtete që e kanë njohur Kosovën./rel

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Këto ngjarje zhvillohen të mërkurën në Kosovë

Story i radhës

Lajçak takohet Abazoviqin e Ramën në New York

Të fundit nga