Me ftesë të Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do i drejtohet sot me një fjalim Parlamentit Evropian.
Kjo është hera e parë që një President i Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, do t’i drejtohet seancës plenare të Parlamentit Evropian.
Siç njofton presidenca e Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani, në fjalimin e saj para deputetëve të Parlamentit Evropian do të flasë “lidhur me arritjet e Kosovës dhe rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ajo do të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që Parlamenti Evropian ka ofruar për Kosovën që nga vitet e 90-ta”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, ku mbahet seanca e Parlamentit Evropian, Presidentja Osmani, do të zhvillojë takime dhe me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe pastaj do të takojë edhe udhëheqësit e grupeve kryesore politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, Presidentja Osmani do të takojë edhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.
Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 pak kohë pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë, pas agresionit në Ukrainë por Serbia vazhdon ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.