vizita e zelenskyt ne serbi ukrainasit dhe ruset presin ndryshim nga beogradi 6a771890e8775

Vizita e Zelenskyt në Serbi, ukrainasit dhe rusët presin ndryshim nga Beogradi

August 8, 2026
min lexim

“Është mirë që po vjen”.

Me këto fjalë, ukrainasja Svetlana, e cila prej katër vjetësh jeton në Beograd, e komentoi për Radion Evropa e Lirë (REL) vizitën e parë të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Serbi.

Presidenti i Ukrainës do ta vizitojë Serbinë më 8 gusht, më pak se një muaj pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në Kiev në samitin Ukrainë–Evropa Juglindore.

“Duhet edhe ta vizitojnë njëri-tjetrin si miq. Në këtë mënyrë do të mësojmë më shumë për njëri-tjetrin, sepse edhe Serbia është një vend i bukur, sikurse Ukraina”, tha Svetlana për REL-in.

Svetlana u largua nga Zaporizhja, në juglindje të Ukrainës, në mars të vitit 2022, menjëherë pasi Kremlini nisi pushtimin e Ukrainës.

Sipas të dhënave të UNHCR-së, afër shtatë milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i luftës. Deri në dhjetor të vitit 2025, në Serbi ishin regjistruar zyrtarisht pak më shumë se 16.000 refugjatë nga Ukraina.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022, në Serbi jetojnë gjithashtu afër 4.000 ukrainas dhe kjo pakicë kombëtare ka edhe këshillin e vet kombëtar.

Filip Pronek, kryetar i këtij organi që merret me ruajtjen e identitetit ukrainas në Serbi, tha për REL-in se vizita e Zelenskyt është një lajm i mirë.

Ai kujtoi se zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, e vizitoi Serbinë në maj të vitit 2024 së bashku me ministrin e atëhershëm ukrainas të Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba.

“Mendoj se është normale që [Volodymyr Zelensky] të vijë dhe ta vizitojë Serbinë, si dhe të avancohen dialogu dhe bashkëpunimi dypalësh mes dy shteteve dhe dy popujve vëllazërorë sllavë. Janë dy shtete sllave që kanë shumë gjëra të përbashkëta gjatë historisë”, tha Pronek.

Nga lufta ikin edhe ukrainasit, edhe rusët

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në Serbi kanë mbërritur edhe mijëra shtetas rusë që janë larguar për t’iu shmangur mobilizimit të mundshëm.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në fund të vitit 2025, shtetasit rusë përbënin grupin më të madh të të huajve me leje të përkohshme qëndrimi në Serbi – pothuajse 55.000. Pak më shumë se 7.000 të tjerë kishin leje të përhershme qëndrimi.

Menjëherë pas nisjes së pushtimit rus, një numër aktivistësh rusë, ukrainas dhe bjellorusë në Serbi organizuan protesta kundër luftës.

Disa aktivistë rusë dyshojnë se pikërisht për këtë arsye u është hequr leja e qëndrimit në Serbi.

Megjithëse shpjegimi zyrtar i autoriteteve ishte se bëhej fjalë për “arsye sigurie”, disa aktivistë dhe persona që kishin mbështetur protestat u detyruan të largoheshin nga Serbia.

Pjotr Nikitin, jurist dhe aktivist i lindur në Rusi, jeton në Serbi prej dhjetë vjetësh dhe ka marrë pjesë aktivisht në protestat kundër luftës.

Ai tha për REL-in se nga vizita e Volodymyr Zelenskyt pret që ajo të shënojë “një ndryshim të vërtetë në qëndrimin e Serbisë ndaj luftës në Ukrainë”.

Nikitin shtoi se Ukraina prej katër vjetësh po lufton për mbijetesën e saj dhe se ka shumëçka për t’i ofruar Serbisë.

“Ajo ka një treg të madh me mbi 40 milionë banorë, bujqësi të zhvilluar dhe sektor të zhvilluar të teknologjisë informative, përvojë në industrinë e mbrojtjes dhe mundësi që kompanitë serbe të marrin pjesë në rindërtimin e vendit pas luftës”, tha Nikitin.

“Nuk ekziston asnjë arsye që Serbia të mos mbajë marrëdhënie të mira me Kievin dhe t’i zhvillojë ato në dobi të ndërsjellë të të dyja vendeve”, theksoi ai.

Nikitin vlerësoi se deri më tani qëndrimi i Serbisë ndaj Ukrainës ka qenë shumë më i orientuar nga Kremlini sesa nga Kievi zyrtar.

“Përveç faktit që në mediat shtetërore është kultivuar dhe mbështetur propaganda ruse, Serbia ka treguar ndaj Ukrainës një qëndrim mjaft nënçmues dhe paternalist”, tha Nikitin.

Në këtë kontekst, ai përmendi vizitën e presidentit të atëhershëm ukrainas, Petro Poroshenko, në Beograd në vitin 2018 dhe vendimin e autoriteteve që në aeroport ai të pritej nga ministrja serbe për Integrime Evropiane, Jadranka Joksimoviq.

“Ky ishte një gafë diplomatike në pritjen e presidentit të një shteti tjetër”, tha Nikitin.

Putini, politikani i huaj më popullor në Serbi

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, Beogradi zyrtar e ka dënuar cenimin e integritetit territorial të Ukrainës, por refuzon t’u bashkohet sanksioneve që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur Federatës Ruse.

Për këtë arsye, Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në BE, është kritikuar vazhdimisht nga zyrtarët në Bruksel.

Disa zyrtarë të lartë serbë vazhdojnë gjithashtu të mbajnë marrëdhënie të afërta me Moskën, përfshirë Nenad Popoviqin, ministër pa portofol, i cili është vizitor i shpeshtë në Rusi.

Në të njëjtën kohë, Shërbimi i Jashtëm i Inteligjencës i Rusisë e ka akuzuar disa herë Serbinë se po eksporton municion në Ukrainë përmes rrugëve të tërthorta.

Ndërkohë, opinioni publik në Serbi mbetet jashtëzakonisht në favor ndaj presidentit rus, Vladimir Putin.

Sipas rezultateve të një sondazhi që agjencia Gallup zhvilloi në fillim të vitit 2026 në 57 vende të botës për popullaritetin e udhëheqësve të huaj, Putini është bindshëm udhëheqësi i huaj më popullor në Serbi.

Fakti që jeton në një vend që vazhdon të mbajë lidhje politike me Moskën zyrtare dhe ku presidenti rus, Vladimir Putin, gëzon popullaritet të madh, nuk ka ndikuar në jetën e Svetlanës në Serbi.

“Nuk kam ndier absolutisht asnjë shqetësim këtu. Me këdo që jam takuar, askush nuk më ka thënë ndonjëherë diçka të keqe dhe mendoj se njerëzit në Serbi janë jashtëzakonisht të këndshëm dhe mikpritës”, tha Svetlana.

Pjotr Nikitin mendon se Serbia nuk duhet të mbajë marrëdhënie diplomatike me Rusinë, e cila po kryen agresion ndaj Ukrainës fqinje dhe që, sipas tij, “e ka shpallur veten armike të Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, pikërisht për shkak të kësaj politike të Kremlinit, shumë grupe të ekstremit të djathtë dhe parti të krahut të djathtë në Serbi e shohin Rusinë si aleaten më të madhe të vendit.

Organizatat e djathta në Serbi kanë organizuar disa tubime proruse që nga fillimi i pushtimit.

Në këto tubime është shprehur mbështetje për Putinin dhe për politikën ruse ndaj Ukrainës.

Një nga tubimet më të mëdha mblodhi rreth 4.000 njerëz në qendër të Beogradit në mars të vitit 2022.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

berisha qeveria ka humbur legjitimitetin protestat tregojne pakenaqesine e qytetareve 6a771832d01b9
Lajmi i mëparshëm

Berisha: Qeveria ka humbur legjitimitetin, protestat tregojnë pakënaqësinë e qytetarëve

enca provokon me paraqitjen e fundit 6a77195c70d0b
Lajmi i radhës

Enca provokon me paraqitjen e fundit

Të fundit nga

Enca provokon me paraqitjen e fundit

Këngëtarja e njohur shqiptare, Enca Haxhia, ka tërhequr sërish vëmendjen e ndjekësve me një paraqitje të fundit në rrjetet sociale. Ajo ka publikuar një InstaStory, duke ndarë me fansat një moment nga
ShkoLartë