Viti historik i Trepçës dhe i dështimit të Kombëtares

January 1, 2025
min lexim

Basketbolli në vitin 2024 është mbizotëruar nga klubi i basketbollit Trepça.

“Xehetarët” i kanë fituar krejt titujt e mundshëm duke e kompletuar një vit perfekt.

Ekipi Gjelbër e Zi e arriti një sukses të jashtëzakonshëm në muajin maj duke e rikthyer në Mitrovicë titullin e kampionit të Kosovës pas pritjes së gjatë prej 12 vjetësh.

Trepça e siguroi titullin e më të mirës pasi e mposhti në finalen e madhe të “play-off”-it Golden Eagle Yllin pas pesë ndeshjesh, në elitën e basketbollit tonë.

Trepça e fitoi lojën vendimtare me rezultat të ngushtë 67:66 në palestrën “Minatori” në Mitrovicë për të triumfuar 3-2 në serinë e ndeshjeve finale përpara palestrës së stërmbushur me shikues.

Basketbollisti i Trepçës, Darnell Edge, është shpallur lojtari më i mirë i finales së “play-off”it ndaj Golden Eagle Yllit.

Për “Xehetarët” ky ishte titulli i pestë në histori të klubit, ndërsa Golden Eagle Ylli mbeti me dy titujt e fituar në vitet 2021 e 2022.

Trepça i ka fituar titujt në vitet 1993, 2000, 2001, 2012 dhe në edicionin 2023/2024.

Trepça i fitoi edhe tre trofe të tjerë gjatë këtij viti magjik për të.

“Xehetarët” fillimisht e fituan Kupën e Kosovës në fillim të vitit, më saktësisht në muajin shkurt.

Ata e mposhtën në një super finale dhe në një super-triler Sigal Prishtinën me rezultat të ngushtë, 71:69.

Me këtë rast, mitrovicasit e fituan për herë të tretë radhazi këtë trofe të çmueshëm.

Më pas, ekipi buzë Ibrit triumfoi edhe në Ligën Unike, ku e mposhti në finale Golden Eagle Yllin me rezultat të ngushtë, 67:66.

Një trepikësh i Edge në sekondat e fundit ua solli këtë trofe mitrovicasve, në turneun që i bëri bashkë ekipet shqiptare.

E në muajin shtator, Trepça e fitoi edhe Superkupën e Kosovës pasi e mposhti në finale Sigal Prishtinën me rezultat 89:73.

Për, Trepçën ky ishte titulli i dytë me radhë i Superkupës dhe i treti në përgjithësi.

Ndërkohë, mitrovicasit e nisën furishëm eksperiencën evropiane duke e eliminuar në çerekfinale të fazës kualifikuese të Ligës së Kampionëve kampionin qipriot, Kervanos.

Ndërsa, në gjysmëfinale në Antalya të Turqisë u mposht nga Nymburgu çek, 78:84.

Më pas, ekipi gjelbër e zi i vazhdoi garat në FIBA Europe Cup, ku megjithatë u tregua e pafuqishme.

Aty, mitrovicasit i zhvilluan gjashtë ndeshje në fazë të grupeve dhe i humbën që të gjitha.

Ndërkaq, Sigal Prishtina, edhe pse nuk ia deshi në rrafshin vendor, u ngushëllua me një trofe.

Bardhekaltrit e fituan Ligën Ballkanike për herë të tretë në histori të tyre pasi në finale e mposhtën AEL-in nga Limassoli i Qipros, 70:67.

Kurse, Peja u eliminua në gjysmëfinale të Ligës Ballkanike.

Kaq për klubet dhe tash është koha të kalojmë tek Kombëtarja e basketbollit.

Dardanët gjatë vitit që e lamë pas luajtën në rrethin e parë parakualifikues për Kupën e Botës, që do të mbahet në vitin 2027.

Verdhekaltrit përfunduan në grup me Zvicrën, Irlandën dhe Azerbajxhanin.

Dardan Berisha me shokë patën paraqitje dëshpëruese deri tash, ndërsa e kanë regjistruar vetëm një fitore ndaj Irlandës dhe i kanë pësuar tri humbje, njëjtë si Azerbajxhani.

Zvicra i ka katër fitore, kurse Irlanda dy fitore e dy humbje.

Ndeshjet e ardhshme të Kosovës do të jenë në shkurt të vitit 2025 në Prishtinë përballë Azerbajxhanit dhe Zvicrës.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Toshkovski: Nata e vitit të ri e qetë, 29 vepra penale, 33 të ndaluar nga policia!

Story i radhës

Në 30 vjet, 30 vetura u përplasën në këtë shtëpi në Portland

Të fundit nga

ShkoLartë