Virozat te fëmijët kanë shtuar vizitat në Pediatrinë e Tiranës. Së bashku me të vegjëlit e tyre, prindërit presin radhën për vizitën te mjeku.
Ata thonë se janë detyruar të vijnë shpesh në dyert e pediatrisë, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të fëmijës.
“Vajza gjatë gjithë kohës po qëndron në shtëpi, po sëmuret, vetëm me infeksione”, thotë një nënë.
Për Panorama Tv, mjeku pediatër, Bektash Mandri tregon disa prej simptomave te gripit sezonal tqë prekin dhe fëmijët.
“Në këtë stinë kemi dy viruse që japin infeksione të rrugëve të sipërme respiratore, të cilët shoqërohen me teshtima, sekrecione”, u shpreh ai.
Shqetësuese, mjeku shikon edhe ndikimin që ka virusi covid 19, duke përkeqësuar në disa raste gjendjen gripale të fëmijëve.
“Këshilla e parë dhe kryesore është ajo që jepet për temperaturën për mënyrën se si ta trajtojnë, për përdorimin e kompresave me ujë të ftohtë, një dush me temperaturë 2-3 gradë. Të ushqehen fëmijët sa më shëndetshëm, duke shmangur fast food, pije me gaz. Së fundmi s’kam pasur raste me COVID. Prindërit të edukojnë fëmijët që të kenë higjienë sa më të pastër. Nëse janë fëmijë të mos i dërgojnë në kopshte, çerdhe e kopshte”, tha mjeku.
Bluzat e bardha u bëjnë thirrje prindërve, të shmangin grumbullimet me njerëz dhe ushqimet e pakontrolluara, pasi rreziku për t’u infektuar është më i lartë.