Rishikimi i buxhetit për gjysmën e dytë të vitit, është dorëzuar në Kuvend. Ministri i Financave Fatmir Besimi bëri me dije, se buxheti dje ka kaluar në Qeveri dhe menjëherë pas përfundimit të seancës është dërguar në Parlament.
Fatmir Besimi, ministër i Financave
“Buxheti tashmë është dërguar në Kuvend. Me siguri do të arrij të hënën, për shkak të fundjavës, nuk e di nëse shërbimet kanë arritur ta pranojnë teknikisht dje. Dje në Qeveri kryeministri e ka nënshkruar, menjëherë pas mbarimit të seancës, është dorëzuar në Kuvend”.
Ministri Besimi tha se në rishikimin e buxhetit janë paraparë edhe pagat në arsim me rritjen prej 15%, por nuk tregoi se sa do t’i kushtoj buxhetit të shtetit, rritja e pagave në shkolla fillore, të mesme dhe çerdhe.
Fatmir Besimi, ministër i Financave
“Janë të parapara mjetet, paratë për arsimin në rishikimin e buxhetit me 15% nga shtatori i këtij viti. Implikimet fiskale për këtë vit janë 525 milion denarë. Ato shihen në bllok dotacionet ndaj vetëqeverisjes lokale, pra efekti fiskal shihet në bllok dotacionet”.
Përndryshe, greva në arsim përfundoi me arritjen e marrëveshjes për rritjen e pagave për 15%, nga muaji shtator. Besimi foli edhe një sërë projektesh dhe mjetet financiare që planifikojnë t’i realizojnë pas rishikimit të buxhetit. Me të sigurohen 76 milionë euro për masa për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe gjithashtu parashihen 52 milionë euro subvencione për fermerët. Besimi theksoi se rifhikimi i bugjetit është përgjigje fiskale ndaj zhvillimeve aktuale globale, ndërsa reflekton synimin për rikuperimin e plotë të ekonomisë nga pandemia, por edhe për mbështetjen e qytetarëve në kulmin e krizës globale.
Emine Ismaili /SHENJA/