(VIDEO) Ndërroi jetë Baca Sylë, heroi tragjik i rastit Sopoti

Pas një jete të mundimshme, të pa drejtë për të, me shumë sfida e vuajtje, njëri nga viktimat e rastit të Sopotit, Sulejman Sulejmani, iku në botën e përjetshme. Katër vjet pasi nga Gjykata u shpall i pafajshëm dhe pasi kaloi 7 vjet në burg, baca Sylë nuk e shijoi lirinë për gjatë kohë.

Në prononcimin e fundit që dha për TV Shenja, ai i lodhur nga jeta, por plotë shpresë në lirinë që po e shijonte, tregonte se ditët e mbetura po i kalon me mbesën dhe nipin.

Syliman Sylimani, rasti i Sopotit

“Ah moj bijë…më dhimbseni me kë keni punë, por nuk kam çfarë të bëjë…më thoshin sa fëmijë i ke, në një vend të panjohur, diku nga Strumica, thash mi ka falë Zoti 10, 7 i kam gjallë, 3 të vdekur, jam i kënaqur me fëmijë…A më tha nuk do të lindësh më shqiptarë, i thash mjaftë më ka falë Zoti, 5 vajza, 2 djem…Mirë moj bi, shok nuk më kanë mbetur më, gati kanë ndërruar jetë të gjithë, por tash i kam një nip e një mbes, po kënaqem duke luajtur me to”.

Baca Sylë nuk e gëzoi as shtetësinë që e mori para dy muajsh. Pas shumë dekada jetë në këtë vend, për arsye të panjohura edhe për të, ai kurrë nuk kishte pasur shtetësi dhe çdo herë ishte përballur me probleme të shumta nëpër institucione e sidomos kur kishte nevojë për të shkuar në mjek. Ai na pati treguar edhe planet që kishte bërë për të takuar miqtë dhe shokët që i kishte në anën tjetër të kufirit, pasi që ishte pajisur me shtetësi.

Syliman Sylimani, rasti i Sopotit      

“Më ka ardhur interesant, as nuk kam menduar, kur don Zoti…s’di çka të them sikur në shtëpi të huaj. Pa dokumente, si në shtëpi të huaj, çfarë të bësh…këta pasi kam rënë në burg i kanë rregullu, vetëm unë nuk kam pasur”.

Sulejmani ishte ndër 11 të dënuarit e fshatit  Sopot me 156 vjet burg, ku ai qëndroi prapa grilave për 7 vjet.

Përndryshe, pas 15 vitesh procedurë dhe me intervenim të bashkësisë ndërkombëtare, Prokuroria Speciale Publike kishte hequr dorë nga akuza dhe la të lirë banorët e Sopotit. 6 nga 11 të akuzuarit nga viti 2010 procesin gjyqësor e kanë ndjekur nga arresti shtëpiak, katër prej të akuzuarve ishin jashtë vendit, ndërsa i akuzuari Samet Limani ka ndërruar jetë në korrik të vitit 2013. Ata ishin dënuar vetëm në bazë të dëshmisë së bashkëfshatarit të tyre Ramadan Bajrami, dëshmi e siguruar nga dhuna e inspektorëve të policisë.

Emine Ismaili /SHENJA/

Story i mëparshëm

Drejtuesit e Tottenham po këmbëngulin për lojtarin

Story i radhës

Si të krijosh një hapësirë të qetë pune edhe në shtëpi

Të fundit nga