(VIDEO) Mbahet marsh protestues, sindikalistët kërkojnë rritjen e pagave

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut shënoi Ditën e Punëtorit me protesta masive para Qeverisë, Kuvendit dhe përfaqësuesve të bizneseve. Sindikatat kërkojnë rritje lineare të të gjitha pagave prej 2806 denarëve nga punëtori i fundit deri te presidenti i shtetit, por edhe kthimin e regresit për pushim vjetor të njohur si K15.

IVAN PESHEVSKI, LSM
“Duam paga më të larta dhe vende të qëndrueshme pune, siguri sociale dhe të drejta të punës sipas marrëveshjes kolektive. Kërkojmë ligj të ri evropian për marrëdhënie pune. Nuk mund të presim më. Kërkojmë që menjëherë kërkesat tona të pranohen dhe të shqyrtohen në Qeveri. Shtetin ua ndërtuam, na latë pa paga”

Para Qeverisë, protestuesit i pritën Zv/kryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi dhe Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska. Kryetari i Sindikatës Darko Dimovski tha se me to do të vazhdojnë bisedimet për kërkesat e sindikalistëve.

DARKO DIMOVSKI, KRYETAR I LSM
“Jam shumë i kënaqur që për herë të parë në historinë e Maqedonisë, Ministrja e punës qëndroi krah për krah me ne, ta përshëndesim. Poashtu e përshëndes edhe zëvendëskryeministrin për çështje ekononike që na shikon sot në sy dhe jam i sigurt se do ti përkrah kërkesave tona e ajo është marrëveshja e përgjithshme kolektive, me të cilin do ta rregullojmë pagën mesatare, minimale dhe rritjen lineare të të gjitha pagave.

Edhe zv/kryeministri Bytyqi lavdëroi protestën dhe tha se kërkesat e sindikalistëve do të merren parasysh. Megjithatë potencoi se të drejtat e punëtorit janë çështje për të cilën duhet të kujdesemi në vazhdimësi.

FATMIR BYTYQI, ZV/KRYEMINISTËR
Avancimi i të drejtave të njeriut nuk ndodh njëherë përgjithmonë. Duhet të flitet edhe për trajtimin e njëjtë të burave dhe grave në tregun e punës, për sigurinë në punë, për të gjitha të drejtat të cilat harrohen, posaçërisht gjatë kohëve të krizave”.

Pas përfundimit të protestës, krerët e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut u pranuan në Qeveri për të folur për kërkesat e tyre. Sindikata nga fusha të ndryshme tashmë disa ditë protestojnë ose janë në grevë, me kërkesa për rritje rroge pas shtrenjtimeve të mëdha gjatë muajve të fundit. /SHENJA/

 

Story i mëparshëm

Kështu duhet të urohet saktë Bajrami në shqip

Story i radhës

Batatina: I treguam Ballkanit që edhe nëse behesh kampion, nuk mund ta mposhtësh Llapin

Të fundit nga