(VIDEO) Mariçiq ka harxhuar më shumë për udhëtime, Osmani dhe Grubi për të ngrënë

Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria për logaridhënie për harxhime, të gjithë qeveritarët së bashku në vitin 2021 pa muajin dhjetor kanë shpenzuar 16.5 milionë denarë për shpenzime zyrtare, shumë kjo që është për 1, 5 milionë denarë më shumë së në vitin 2020.

Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministri aktual për Integrime Evropiane, ka shpenzuar 816 mijë denarë për 11 muajt e parë të vitit 2021 si ministër i atëhershëm i Drejtësisë.

Për udhëtime ajrore nga buxheti i shtetit ka shpenzuar 213 mijë denarë. Në aeroporte ka shfrytëzuar edhe një sallon VIP për 7 500 denarë. Ai ka porositur vakte për 163 mijë denarë në lokalet private të hotelierisë, ndërsa në ato shtetërore, të cilat janë shumë më të lira për zyrtarët, ka raportuar 92 mijë denarë. Mariçiq ka paguar 69.000 denarë për dreka jashtë vendit.

Mirëpo, nëse shikohen veçmas llogaritë zyrtare të restoranteve në vend, Bujar Osmani me 336.000, Artan Grubi me 272.000 dhe Nikola Dimitrov me 185.000 të shpenzuara deri në dhjetor 2021 qëndrojnë përpara Mariçiqit. Naser Nuredini është diku në këtë kategori me Mariçiqin.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ka shpenzuar më së shumti, mbi 1.2 milionë denarë. Pas tij vjen ministri i Bujqësisë Ljupço Nikollovski me 757 mijë denarë në kohën kur ishte zëvendëskryeministër për luftën kundër korrupsionit dhe gjysma e këtyre parave është shpenzuar për ngjarjet në menzat dhe bifetë shtetërore. I pesti është Kreshnik Bekteshi me 610 mijë denarë. Në vendin e gjashtë është Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit, i cili si ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës në atë kohë ka shpenzuar 415 mijë denarë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka shpenzuar 70.000 denarë si zëvendësministër i financave gjatë vitit 2021, për shpenzimet e telefonisë mobile dhe për shërbimet e mensave dhe bufetë shtetërore.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

 

Story i mëparshëm

Isco do të ndërpresë kontratën me Sevilla

Story i radhës

Klubi i Simon Simonit shpallet më i miri i vitit në Bundesligë

Të fundit nga