Qeveria LSDM-BDI po mundohet që ta shpërqendrojë vëmendjen nga keqmenaxhimi me krizën ekonomike dhe energjetike si dhe inflacionin dramatik me çmimet, përmes proceseve gjyqësore të politizuara. Ky është vlerësimi i kryetarit të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski për vendimin e gjykatës që parashikon konfiskimin e selisë partiake të VMRO-së, në procesin gjyqësor Talir 2. Mickoski thotë se e gjithë kjo ka vetëm një qëllim, që vëmendja e qytetarëve të jetë tek proceset gjyqësore kundër opozitës dhe jo tek kriza e thellë ekonomike që ka kapluar çdo familje.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE
“Jemi dëshmitarë të kohërave dramatike të rënda për qytetarët dhe për Maqedoninë. Kërcënimi më i madh për sigurinë dhe përditshmërinë e familjeve është inflacioni në rritje, shoku me çmimet për çdo ditë. Karburantet që u dyfishuan, energjia elektrike e cila sërish do të rritet. Rritja e çmimeve të të gjitha prodhimeve në markete. Xhepi i familjeve po boshatiset, ashtu siç po bie dramatikisht fuqia blerëse e popullatës. Ajo që na shtang më shumë në këtë krizë është mungesa e shqisës nga qeveria e LSDM-së dhe BDI-së”.
Sipas Mickoskit, vendimin për konfiskimin e selsë së VMRO-së në rastin Talir 2 e kanë marrë gjykatës të partizuar, por ai do të kërkojë drejtësinë deri në fund, nëse ka nevojë edhe në Strazbur. Kryetari i VMRO DPMNE-së komentoi gjithashtu 3 kërkesat bullgare të cilat i përmendi dje kryeministri bullgar Kiril Petkov. Sipas tij, Petkov po përdor fjalorë ultranacionalist për ta ruajtur shumicën parlamentare dhe koalicionin qeveritar, por ato kërkesa janë të papranueshme për popullin maqedonas.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYETAR I VMRO DPMNE
“Tre kërkesat e Petkovit janë më radikale se ato të Karakaçanovit, sepse ai thotë ‘Deklarata e Kuvendit’, e cila nëse e shihni është asimiluese dhe hegjemoniste, ndërsa pastaj thotë se bullgarët duhet të jenë në Kushtetutën e Maqedonisë dhe në fund thotë Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë. Unë nuk e di a ka njeri normal në Maqedoni që do ta pranojë këtë. Madje as këta për të cilët mendojmë se janë totalisht larg interesave nacionale, as ata nuk mund ta pranojnë”.
Mickoski thotë se bisedimet me Bullgarinë nuk duhet të vazhdojnë deri sa të marrin garanca të shkruara nga pala bullgare se nuk kanë çështje të hapura sa i përket identitetit maqedonas. /SHENJA/