Disa struktura të pakënaqura dhe disa funksionarë të degës së partisë Alternativa në Çair, gjatë ditës së sotme kanë mbajtur konferencë për media në të cilën kërkuan shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali, pasi sipas tyre, ministri është propozuar pikërisht nga kjo degë.
Anëtari i kësaj dege dhe ish shef i kabinetit të ministrit Sali, Meriton Civuli tha se ministri Sali, nuk i ka realizuar synimet politike të partisë. Civuli gjithashtu tha se për gjitha pakënaqësitë e kanë informuar edhe kryetarin e partisë, i cili, sipas tyre nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim.
MERITON CIVULI, ANËTAR I DEGËS ÇAIR
“Mosmarrja e dy drejtorive në klinikat universitare dhe kryetarin e bordit drejtues në Fondin Shëndetësor, që na takonin sipas marrëveshjes politike para gati një viti, vende këto ku mundet të realizojmë politikat tona shëndetësore. Mosavancimin i kuadrove shqiptare tash e dhjetë muaj. Asnjë shef reparti, motër kryesore, vendim i dhënë mjekëve me kontratë punë. Përqindja e punonjësve shqiptarë sipas balancuesit, lë shumë për të dëshiruar”.
Sipas Civulit, të gjitha këto pika të cilat i përkufizojnë ata janë shkelur nga ana e ministrit Bekim Sali. Ai gjithashtu tha se për të gjitha këto dhe shumë vërejtje tjera lidhur me punën dhe sjelljen e pahijshme të një funksionari, siç tha ai, tanimë të adresuara tek kryetari Afrim Gashi, presin të kenë efekt dhe të njëjtit i kanë dhënë afat prej 10 ditëve kryetarit Gashi, që të iniciojë shkarkimin e ministrit në fjalë.
MERITON CIVULI, ANËTAR I DEGËS ÇAIR
“Andaj i bëjmë apel kryetarit të partisë konform kompetencave që ka, dhe obligimeve me të cilat e ngarkon Statuti i partisë që në afat prej 10 ditësh të iniciojë shkarkimin e ministrit, përndryshe përgjegjësia për hapat e mëtutjeshme, dëmet dhe pasojat në parti do të bien ekskluzivisht mbi të”.
Ndërkaq, Meriton Ciluvi theksoi se 11 nënshkrimet e grumbulluara deri më tani nuk janë të gjitha. Ai tha se pakënaqësi të njëjta ka edhe nga degë tjera.
Samir Mustafa /SHENJA/