Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka reagur pas komenteve që ka bërë lideri i VMRO-së, Hristijan Mickoski për buxhetin e vitit 2023, dhe për ndarjen e parave për projekte në rajonet me shumicë shqiptare në vend. Ahmeti ka deklaruar se ministrat shqiptarë në Qeveri nuk angazhohen vetëm për shqiptarët, por për të gjithë qytetarët. Ahmeti ka thënë se ministri i Jashtëm nuk është i njëanshëm, por i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Sepse ky nuk është ministër i njëanshëm. Është ministër i qytetarëve të RMV-së. Zv/kryeministri i Parë nuk ka vetëm një detyrë, por jo vetëm njëanshëm për infrastrukturë, por të gjithë Republikën. Ministri i arsimit nuk ka vetëm një detyrë, të interesohet për avancim të arsimti shqip, por për avancim të gjithë arsimit në Republikë. Jo vetëm për historinë e shqiptarëve, por për historinë e shtetit dhe të komuniteteve”
Ali Ahmeti ka thënë se në këtë situatë duhet unitet i fortë etnik dhe ndëretnik. Sipas tij, të gjithë projektet që kanë të bëjnë me zgjidhje të përhershme nuk kanë të bëjnë vetëm me shqiptarët.
ALI AHMETI, KRYETAR I BDI-SË
“Përkrahjen tonë e kanë pasur dhe do ta kenë. Ne asnjëherë nuk ua kemi kontestuar historinë dhe identitetin, përkundrazi aleatë dhe miq të fortë na kanë ne shqiptarëve. Por, ama kjo do një hap të guximshëm, duhet të hapet Kushtetuta dhe të futen kumunitetet që duhet të jenë pjesë e kategorisë kushtetuese, si bullgarët, kroatët, malazezët, sepse asgjë e keqe nuk i ndodh vendit”
Sipas Ahmetit, çdo zgjidhje e problemeve të shtetit nuk është vetëm për shqiptarët, por për të gjithë, dhe për qytetarët maqedonas, që përfundimisht të legjitimohen ndërkomëtarisht si komb dhe si kulturë. /SHENJA/