Veteranët e ushtrisë ukrainase në Poloni të gatshëm për të mbrojtur vendin tyre

February 15, 2022
min lexim

Një numër veteranësh të ushtrisë ukrainase, të cilët punojnë dhe jetojnë në Poloni, kanë shprehur gatishmërinë për të mbrojtur vendin e tyre mes rritjes së tensioneve me Rusinë. Nëse Rusia sulmon Ukrainën, ata thonë se do të kthehen në vendin e tyre për t’iu bashkuar ushtrisë dhe për të mbrojtur vendin .

Dmytro Dovzhenko, 40 vjeç, jeton në Poloni me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij që nga viti 2019 dhe është pronar i një biznesi atje. Ai ende mban një unazë me mbishkrimin “Besnik Përgjithmonë” nga njësia e tij ushtarake detare në Ukrainë. Nëse Rusia sulmon vendin e tij, ai do të kthehet atje për të luftuar.

“Nëse fillon lufta, më duhen vetëm 24 orë. Brenda 24 orëve, do të kthehem në ushtri”, thotë zoti Dovzhenko, i cili është nga qyteti qendror i Ukrainës, Poltava. Ai tani jeton në Vroklav, një qytet në Poloninë perëndimore.

Uashingtoni ka thënë se Rusia, e cila ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit të Ukrainës, mund ta sulmojë atë në çdo moment. Moska mohon të ketë ndonjë plan të tillë.

Zoti Dovzhenko, i cili drejton një fondacion të veteranëve ukrainas në vendet e Bashkimit Evropian, thotë se ai është njëri nga rreth 700 veteranët e ushtrisë ukrainase në Poloni që janë të gatshëm të kthehen në Ukrainë.

Duke marrë parasysh se rreth 10,000 veteranë të ushtrisë ukrainase ndodhen anembanë BE-së, ai thotë numri i atyre që janë gati për t’u rikthyer në ushtrinë e Ukrainës ka të ngjarë të arrijë në afërsisht 7,000.

Ministria ukrainase e Veteranëve tha në një deklaratë të dërguar me email se nuk ka shifra mbi numrin e veteranëve nga konflikti i vitit 2014 që ndodhen jashtë vendit, por ka gjithsej 420,000 njerëz të regjistruar që në të kaluarën që kanë mbrojtur Ukrainën.

Veteranët që po përgatiten të kthehen tani janë gjithashtu më të përgatitur se ushtarët ukrainas që morën armët në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut për të luftuar separatistët pasi Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014, thanë anëtarët e fondacionit.

“Ne do të jemi në gjendje të ofrojmë profesionalizmin dhe përvojën tonë këtë radhë”, tha veterani ukrainas Serhii Sklarenko, i cili i kërkoi agjencisë së lajmeve Reuters të përdorte një mbiemër të modifikuar për të mbrojtur identitetin e tij.

Ai dhe zoti Dovzhenko tregojnë fotografi nga koha kur ata morën pjesë në luftime në vitin 2014 dhe vitet që pasuan, duke vënë në dukje armët e shekullit të 20-të dhe një sasi të madhe veshjesh ushtarake të dhuruara nga Gjermania, Kanadaja dhe vende të tjera të tjera.

Që atëherë, ushtria ukrainase ka marrë mbështetje të konsiderueshme ndërkombëtare dhe është armatosur dhe trajnnuar shumë më mirë.

“Tani kemi armë moderne, mjekësi moderne. Ne kemi gjithçka që na nevojitet”, tha zoti Dovzhenko.

Yuriy Kubrytskyi, një avokat 49-vjeçar nga Çerkasi, një qytet në Ukrainën qendrore, tha se do të ishte gati të kthehej dhe të bashkohej me ushtrinë për herë të parë nëse do të fillonte lufta.

Ai tashmë ka drejtuar fushata për mbledhjen e gjërave thelbësore, duke filluar nga produktet e higjienës personale dhe ushqimet e deri tek veshjet speciale ushtarake, për ushtarët në Ukrainën lindore kur ai jetonte në Çerkasi. Ai gjithashtu ka punuar si oficer policie.

Por pavarësisht punës së tij të rehatshme në një zyrë kontabiliteti në Poloni, ai thotë është gati të jap jetën për të mbrojtur Ukrainën, nëse do të ishte e nevojshme.

“Armët nuk gjuajnë. Njerëzit qëllojnë dhe ukrainasit dinë se si të qëllojnë dhe janë të gatshëm ta bëjnë këtë për mbrojtur vendin e tyre”, tha zoti Kubrytskyi./VOA

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Çfarë duhet të bëni nëse dikush flirton me partnerin tuaj?

Story i radhës

Mitet dhe gënjeshtrat e historisë serbe!…

Të fundit nga

Milani fiton në Bratisllavë 

Milani ka marrë pikë të plota në Bratisllavë.  “Rossonerët” shënuan fitore me rezultat 3:2 ndaj Sllovanit. Për Mlanin shënuan Pulisic (21′), Leao (68′) e Abraham (71′) dhe për vendasit Barseghyan (24′) e
ShkoLartë