Rrafshi i Dukagjinit nëpër histori është karakterizuar nga kulla të larta prej guri, të cilat mbi të gjitha patën dy funksione; atë të banimit dhe fortifikatave mbrojtëse kundër armikut.
Lufta e fundit në Kosovë, por edhe pakujdesia e pronarëve, bënë që numri i tyre sot të jetë shumë i vogël. Vetëm në lokalitetin e Deçanit janë dëmtuar dhe shkatërruar 263 kulla, thonë zyrtarët e kësaj komune.
“Numri i kullave në komunën e Deçanit para lufte ka qenë shumë i madh kurse pas luftës në bazë të inventarizimit të bërë në vitin 2000 ka qenë 236 kulla të dëmtuara. Jemi munduar që përmes shumë projekteve që njerëzve që posedojnë këto objekte të trashëgimisë kulturore t’iu ndihmohet mirëpo mundësitë për ndihmë nuk kanë qenë të mëdha edhe përkundër asaj që shumë donatorë kanë ndihmuar ka ndihmuar edhe komuna po edhe Ministria e Kulturës, mirëpo duke e pa në këto rrethana që edhe rikonstruktimi kushton, pronarët e këtyre kullave atëherë kanë bërë shkatërrimin e tyre””, tha për RTK, Shkëlzen Shehu, zyrtar i Komunës së Deçanit.
“Kulla është dëmtuar shumë, posaçërisht në kohën e fundit, por ajo ruhet dhe kultivohet sado që në masën e kufizuar po megjithatë gjen vend. Fatmirësisht ne arkitektët kemi pas fatin që edhe sot e kësaj dite ku e bëjmë at simbiozën, interferencën e kullës së vjetër me funksionalitetin e ri që dita ditës po gjen zbatim. Jemi të inkurajuar me interesimin e popullit tonë posaçërisht në komunën e Deçanit dhe Rrafshin e Dekanit, por na duhet që fryma dhe funksioni i vjetër të përshtaten, adaptohen dhe të interferohen në funksionin e ri gjë që nuk është lehët por është e mundshme”, tha Beqir Berisha, arkitekt.
E ato që kanë mbetur e rindërtuar në të shumtën tashmë u është ndërruar edhe destinimi. Njëra ndër to është kulla e Demukajve në Deçan apo siç është e njohur kulla e Sali Rrustës.
“Kjo kullë është deri më 31 maj 1998 nga forcat serbe kurse në 2002 ka filluar rindërtimi i saj edhe normal që destinimi i katit përdhesë është ndërruar sepse Deçani nuk është i dikurshmi kur ka pasur bagëtinë, pra kjo kullë tash ka pësuar ndryshime të vogla ku kati përdhesë siç po e shini është një sallon ndeje kurse katet tjera kanë qenë sikurse kanë qenë më përpara”, tha Haxhi Demukaj, pronar.
Sipas zyrtarëve komunalë në Deçan, disa prej këtyre kullave tashmë janë shndërruar në objekte të trashëgimisë kulturore e historike dhe janë të hapura për vizitorë.
BURIMI: Bota Sot