Ish-kryeministri britanik Gordon Brown ka zbuluar se si Vladimir Putin “e kërcënoi” atë gjatë një vizite zyrtare në Moskë dhe thotë se Perëndimi ‘dështoi’ t’i rezistojë Presidentit rus për vite përpara pushtimit të tij në Ukrainë.
Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, duke kujtuar një vizitë të vitit 2006 në Kremlin, ndërsa ishte Sekretar i Thesarit, Brown tha: “Më ulën në një ulëse shumë të ulët, kështu që ta shikoja lart. Ai sigurisht që është një burrë relativisht i vogël dhe i vesh këpucë me taka”.
“Gjithsesi, atë ditë ai nxori disa letra dhe vazhdoi të lexonte të gjitha informacionet që kishte për mua, sikur të donte të provonte se dinte më shumë për mua sesa unë dija për veten time. Pra, kur njerëzit thonë se Putini ka ndryshuar dhe vetëm tani po kërcënon, unë mund t’ju them se ai po më kërcënonte edhe atëherë”.
Brown beson se Putini i përgjigjet vetëm “një shfaqjeje fuqie të pakompromis dhe të palëkundur”, duke shtuar: “E vetmja gjë që Putini kupton është fuqia”.
Dhe ai paralajmëroi se mosveprimi i Perëndimit lidhur me pushtimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, i cili ndodhi ndërsa David Cameron ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, “e lejoi Putinin të mendonte se mund të vazhdonte me inkursione të mëtejshme”.
Komentet e tij vijnë në kohën kur armët e rënda të furnizuara nga perëndimi po arrijnë në vijat e frontit, megjithëse jo në sasi që zyrtarët ukrainas thonë se nevojiten për të shtyrë forcat ruse.
Ndërkohë, teksa u kthye në Britaninë e Madhe nga një vizitë në Kiev, kryeministri i tanishëm Boris Johnson tha: “Rusët po ecin përpara centimetër pas centimetri dhe është jetike për ne të tregojmë atë që dimë të jetë e vërtetë, që është se Ukraina mund të fitojë dhe do të fitojë”.
Ai shtoi: “Kur lodhja e Ukrainës po fillon të shfaqet, është shumë e rëndësishme të tregojmë se jemi me ta për një kohë të gjatë dhe po u japim atyre qëndrueshmërinë strategjike që u nevojitet”.