Disa shtetas afrikanë që po përpiqen t’i largohen luftës në Ukrainë thonë se kanë hasur në vështirësi për të dalë nga vendi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Betty Ayoub, bisedoi me një student të mjekësisë nga Liberia, i cili rrëfen eksperiencën e tij në kufirin Ukrainë-Rumani.
Studentët afrikanë janë ndër njerëzit e shumtë që po përpiqen të largohen nga Ukraina drejt Polonisë, Rumanisë dhe vendeve të tjera fqinje.
I lindur në Liberi, Augustine Akoi Kollie studionte për mjekësi në qytetin jugperëndimor ukrainas Ternopil. Ai la banesën e tij të shtunën për të filluar një udhëtim gjashtë orësh me taksi dhe më këmbë drejt kufirit jugor me Rumaninë. Në pikën kufitare, ai qëndroi në radhë gjithë natën në temperatura shumë të ftohta, përpara se t’i lejohej hyrja në Suceava të Rumanisë.
Autoritetet ukrainase trajtojnë me prioritet gratë dhe fëmijët ukrainase, por jo të huajt që përpiqen të largohen.
“Edhe kur je në radhë, nëse vjen një ukrainas, duhet të hapësh krahun dhe ta lësh të dalë përpara. Është dimër në Ukrainë. Ishte shumë ftohtë. Duart, këmbët, gjithçka ishte mpirë nga i ftohti. Disa studentë humbën ndjenjat. Pa strehë, pa ushqim, duhet ta siguronim çdo gjë vetë”, thotë zoti Kollie.
Pati edhe veprime agresive, të filmuara nga një shok i tij ndërsa ishin duke pritur. Në një xhirim shfaqen disa burra me uniformë në anën ukrainase të kufirit duke shtyrë njerëzit e ulur në tokë, që zoti Kollie thotë se janë studentë të huaj. Nuk është e qartë nëse personat me uniformë janë roje kufitare ukrainase.
Në Twitter është krijuar hashtagu #AfricansinUkraine me filmime dhe mesazhe që akuzojnë për keqtrajtim të afrikanëve që përpiqen të largohen nga Ukraina.
Chizoba Okwor, një nigeriane që banon në Nju Jork ka shpërndarë disa nga këto video në blogun e saj për afrikanët në diasporë.
“Që kur filloi sulmi, janë përpjekur të largohen nga zona e luftës drejt vendeve më të sigurta si Rumania, Polonia etj.
Por ka rezultuar tepër e vështirë për ta sepse, ose nuk u lejohet të hipin në autobuzë dhe trena, ose edhe kur kanë arritur të hipin, i detyrojnë të zbresin”, thotë zonja Okwor.
Zyrtarët evropianë thonë se të gjithë trajtohen njësoj pasi kanë dalë nga Ukraina. Ambasadorja e Polonisë në Nigeri, Joanna Tarnawska, u tha mediave lokale se të gjithë po trajtohen njëlloj në kufi dhe se disa shtetas nigerianë janë lejuar tashmë të kalojnë në Poloni.
Në një mesazh të publikuar të martën, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, thotë se “afrikanët që përpiqen të evakuohen janë miqtë tanë dhe duhet të kenë të njëjtat mundësi për t’u kthyer të sigurtë në vendet e tyre”.
Por, drejtuesit e Bashkimit Afrikan u shprehën nëpërmjet një deklarate të hënën se janë të shqetësuar nga njoftimet se shtetasve të vendeve të Afrikës që ndodhen në Ukrainë nuk po u lejohet të kalojnë kufirin për të shkuar drejt zonave më të sigurta.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se çdo akt diskriminimi racial është i pajustifikueshëm.
Dhe Komisioni Evropian i tha Zërit të Amerikës se “së shpejti do të propozojë aktivizimin e Rregullores për Mbrojtjen e Përkohshme”, për të ndihmuar njerëzit që i largohen Ukrainës.
Augustine Kollie, studenti nga Liberia, tha se pasi hyri në Rumani, çdo gjë shkoi mirë.
“Kishin ushqim falas. Gjithçka ishte falas. Mund të merrje çfarë të nevojitej. Mund të haje çfarë të doje. Kishin edhe batanije për shkak të të ftohtit”, thotë ai.
Zoti Kollie thotë se të ardhurve u premtohet ndihmë me ushqime dhe strehim për 30 ditë. Ai i bën edhe një thirrje komunitetit ndërkombëtar.
“Këto janë kohëra të vështira për studentët në Ukrainë. Prandaj i bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojë me të gjitha mënyrat studentët e huaj që shkojnë për t’u strehuar në vendet evropiane. Duhet të përpiqen t’i ndihmojnë”, thotë ai.
Sipas agjensisë së OKB-së për refugjatët, mbi 1 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina që kur filloi një javë më parë sulmi i Rusisë./VOA