Pas triumfit ditën e shtunë në “garën sprint” dhe të dielën në garën “normale”, piloti holandez Max Verstappen e ka konsideruar fundjavën e kaluar në pistën e Imola (Itali) si “fundjava e përkryer”. Kampioni i botës ka ngushtuar diferencën me kryesuesin e botërorit, Charles Leclerc (Ferrari) dhe sheh me optimizëm pjesën e mbetur të sezonit.
“Vështirë se mund të arrihet më një rezultat i tillë: Fitues në garën sprint dhe në garën e zakonshme me xhiron më të shpejtë, duke korrur maksimumin e pikëve në një fundjavë. Gjithçka ishte e përkryer për ne si skuadër.
Bëmë gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ishte një fitore e merituar”, u shpreh piloti Max Verstappen.
“Kishim nevojë për një fundjavë të tillë, e përkryer për mua dhe për Red Bull.
E nisëm sezonin mes shumë vështirësive dhe një rezultat i tillë na jep shpresë dhe motivim për të ardhmen.
Nuk ka qenë një garë e lehtë, pasi pista ishte e lagur, por arritëm të ruanim të njëjtin ritëm si me gomat për pistë të lagur ashtu dhe ato të ndërmjetme dhe pistë të thatë”, tha Verstappen.