Të mbijetuarit e përdhunimeve gjatë luftës në Kosovë, tash e sa muaj, nuk mund të parashtrojnë kërkesa për të siguruar statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës.
Sipas ligjit aktual, afati kohor për një gjë të tillë ka skaduar më 5 shkurt.
Në Kosovë nuk dihet saktë numri i personave të përdhunuar gjatë luftës më 1999, por besohet të jetë rreth 20.000.
Nga shkurti i vitit 2018, kur ka nisur aplikimi për njohjen e statusit të viktimës, atë e kanë siguruar gjithsej 1.558 veta.
Javën e kaluar, Kuvendi i Kosovës i kaloi në lexim të dytë ndryshimet në një ligj të hartuar nga Qeveria, i cili, mes tjerash, trajton edhe statusin dhe të drejtat e personave të përdhunuar gjatë luftës.
Me këtë masë, afati për aplikim është shtyrë për dy vjet, përkatësisht deri më 15 maj 2025, me mundësi zgjatjeje edhe dy vjet.
Proces i ndërlikuar deri te statusi i viktimës së dhunës seksuale
Emrat e dhunuesve të dyshuar vetëm në letër
Rreth 400 gra dhe 12 burra me statusin e viktimës së dhunës seksuale
Por, kufizimi nxiti kundërshtimin e disave – nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deri tek organizatat që mbrojnë të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë.
Sipas tyre, afati i aplikimit për këtë status duhet të jetë i pakufizuar, derisa viktima të ndihet e gatshme për një hap të tillë.
“Nuk jam në gjendje të flas tash për dhunën”
Statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës i siguron asaj një pension prej 230 eurosh në muaj dhe disa përfitime të tjera, si: shërbime shëndetësore falas dhe përparësi në punësim.
Sipas ligjit në Kosovë, i cili është miratuar në vitin 2014, statusi i tillë i takon çdo personi, i cili arrin ta bindë një komision qeveritar se ka qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, përkatësisht në periudhën 27 shkurt 1998 – 20 qershor 1999.
Dafina, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, thotë se edhe 24 vjet pas përdhunimit, nuk mund ta bindë veten që të dalë para një komisioni dhe ta rrëfejë përjetimin e saj. Shprehet e sigurt se një gjë të tillë nuk do të mund ta bëjë as gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
“Nuk jam në gjendje tash për tash të flas [për dhunën], për arsye të familjes, fëmijëve, sepse jetoj në bashkësi familjare. Më kanë thënë se janë disa proceduara, komisione dhe kam frikë se mos po zbulohem. Nuk e di, ndoshta pas një kohe… pas katër-pesë vjetësh mund ta bëj një gjë të tillë”, thotë Dafina, identiteti i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë e REL-it.
Dafina thotë se, përveç bashkëshortit, askush tjetër në familjen e saj nuk e di se është përdhunuar.Pikërisht për këtë – mosgatishmërisë së viktimave për të folur – disa kërkojnë që afati për aplikim për statusin e viktimës të mos ketë kohë të caktuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila duhet ta nënshkruajë ligjin për të hyrë në fuqi, ka thënë më 17 korrik se “afati i aplikimit për statusin e viktimës së dhunës seksuale duhet të jetë i pakufizuar”.
Organizata joqeveritare, që mbrojnë të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, kanë kërkuar të njëjtën gjë.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në Kosovë, bashkë me anëtarë të platformës “Bëhu Zëri Im”, kanë thënë se kufizimi i afatit për aplikim për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, është në kundërshtim me konventat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Sipas praktikave ndërkombëtare, për shembull në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale në luftë, nuk është i kufizuar.
“QKRMT-ja do të vazhdojë ta adresojë nevojën që afati për aplikim të mos kufizohet, por të jetë pa kufi, ashtu siç është adresuar përmes letrave avokuese në Zyrën e Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit, Grupeve Parlamentare dhe Komisioneve përkatëse. Kësisoj, ligji do të ishte në harmoni me të drejtën dhe praktikat ndërkombëtare, si dhe me nevojat dhe ndjeshmërinë e viktimave që e drejta për njohjen e vuajtjeve të tyre të mos jetë e kufizuar në kohë”, thotë QKRMT-ja në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.
“Ne insistojmë se nuk duhet të ketë kufizime kohore në ligj”, thotë edhe Kadire Tahiraj, drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Kosovë.
A mund të bëhen ndryshime në ligj?
Kryetarja e Komisionit për të Drejta të Njeriut në Kuvendin e Kosovës, Duda Bale, thotë se ky organ i ka kërkuar Qeverisë që të bëjë ndryshme në propozim-ligj, duke mos e kufizuar afatin, por, sipas saj, Qeveria nuk i ka marrë parasysh kërkesat.
“Tash është vonë për [ndryshme]. Unë e respektoj shumë mendimin e presidentes, por tash është vonë se është votuar në Kuvendin e Kosovës”, thotë Bale.
Presidentja, me autoritetin e saj, mund të mos e nënshkruajë një projektligj të miratuar nga Kuvendi dhe mund ta kthejë atë në Kuvend me vërejtje të caktuara. Por, edhe Kuvendi mund ta kundërshtojë një propozim të presidentes nëse ai ligj hyn sërish në procedurë dhe votohet me 61 vota për.
Përmes statusit të viktimave të dhunës seksuale deri te dëshmia e krimit
Praktika e Kosovës për verifikimin e personave të dhunuar “ndër më të mirat në botë”
Kryetarja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale, Leonora Selmani, thotë se nuk duhet të ketë vonesa në dekretimin e projektligjit të miratuar nga Kuvendi.
Sipas saj, mundësitë e tjera rreth afatit do të mund të shikohen më vonë.
“Fillimisht duhet të dekretohet ligji ashtu siç është vendosur në Kuvend dhe mandej është çështje që duhet të diskutohet se a do të duhet të jetë me një afat më të gjatë apo jo. Aktualisht, unë mendoj se duhet të jetë 2+2 [vjet] dhe gjatë kësaj periudhe kohore të mobilizohen të gjithë për të parë se si duhet të veprohet në të ardhmen”, thotë Selmani.
Më herët, disa organizata joqeveritare, përmes të cilave numër i caktuar personash ka aplikuar për statusin e viktimës së dhunës seksuale, kanë shprehur shqetësimin se pritjet e gjata për shqyrtimin e rasteve nga Komisioni qeveritar, kanë bërë që shumë viktima të heqin dorë nga aplikimi për statusin që do të mund t’iu takonte. Ka pasur raste kur një person ka pritur deri në 17 muaj.Situatën, sipas tyre, e vështirëson shpesh edhe paraqitja fizike para komisionit, pasi viktimat kanë frikë nga stigmatizimi.
Për aplikim, viktima duhet të plotësojë një formular me të dhëna e detaje për vendin dhe periudhën kur ka ndodhur përdhunimi, me deklarata nga dëshmitarët dhe me raporte eventuale mjekësore. Nëse komisioni nuk bindet, viktima duhet të dalë fizikisht para tij.