Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, së bashku me deputetët e kësaj partie, i janë bashkuar protestës gjithpopullore në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të organizuara nga shoqatat e luftës, në Prishtinë.
Në një prononcim për gazetarë ai tha se vendimi dënues i Gjykatës Speciale është i papranueshëm dhe, sipas tij, i pabazuar në fakte.
Hamza tha se kjo protestë nuk është drejtuar ndaj askujt, por është në përkrahje të plotë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Ne jemi për drejtësi, jemi kundër padrejtësisë. Deri tash në këtë proces, këtë gjykatë çka kemi pa, kemi pa padrejtësi. Ky është një vendim i papranueshëm për qytetarët e Kosovës, vendim i padrejtë, i pabazuar në fakte, është vendim politik dhe sigurisht ne jemi këtu me shpreh pakënaqësinë tonë. Kjo protestë është në përkrahje të liderëve tanë, të udhëheqëseve të UÇK-së, solidarizim dhe përkrahje e pakufishme për të. Nuk është e drejtuar ndaj askujt, po, në përkrahje të plotë dhe në mospajtim të plotë me atë çka ka ndodh në Gjykatën e Hagës. Do t’i bëjmë të gjitha veprimet e nevojshme, demokratike, edhe protesta, por, edhe veprime ligjore. Besoj se sot do të konkretizojmë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Hamza.
Burimi: botasot.info


