Venezuela ka ndaluar një marinar amerikan i cili ndodhej në atë vend për një vizitë private, thanë për Zërin e Amerikës autoritetet amerikane. Nuk dihet arsyeja e ndalimit.
Një zyrtar i mbrojtjes, i cili foli për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë ndërkombëtare të rastit, tha se marinari u arrestua nga autoritetet venezuelase të zbatimit të ligjit rreth datës 30 gusht, ndërsa ai po zhvillonte një vizitë private në Venezuelë.
“Marina amerikane po e shqyrton rastin dhe po punon ngushtë me Departamentin e Shtetit”, shtoi zyrtari i mbrojtjes.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha për median të mërkurën se Uashingtoni po e ndjek nga afër ndalimin e marinarit dhe po kërkonte informacion shtesë. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, shtoi se Uashingtoni ishte në kontakt me autoritetet venezuelase.
Marrëdhëniet e tensionuara mes SHBA-së dhe Venezuelës janë tendosur edhe më tej pas zgjedhjeve në Venezuelë në fillim të këtij viti.
Administrata e Presidentit Biden ka ngritur pikëpyetje për rezultatet që mbajtën në pushtet Presidentin Nicolas Maduro, duke deklaruar muajin e kaluar se “Maduro dhe përfaqësuesit e tij i kanë manipuluar rezultatet e zgjedhjeve, kanë pretenduar në mënyrë të rreme fitoren dhe kanë kryer represion të gjerë për të ruajtur pushtetin”.
Në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara sekuestruan një aeroplan të përdorur nga Presidenti venezuelian Nicolas Maduro, për siç thuhet shkelje të sanksioneve amerikane./VOA
Burimi: botasot.info