Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, së bashku me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci, kanë vendosur gurthemelin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të këtij qyteti.
Me një vlerë afër tre milionë euro, ky projekt i nënshkruar me 15 nëntor të këtij viti, po realizohet si rezultat i Marrëveshjes së Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komunës së Drenasit, e i cili pritet të finalizohet dhe të funksionalizohet në shtator të vitit 2025.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, me sipërfaqe prej 4235 metra katrorë, do të ketë kushte të dinjitetshme për stafin mjekësor dhe kushte të mira për shërimin e të gjithë pacientëve. Qendra do të ofrojë shërbime në repartin e radiologjisë, emergjencës, të gjinekologjisë, mjekësisë familjare, si dhe shërbime teknike. Ajo do të ketë podrumin, përdhesen dhe katin e parë, si dhe do të ketë vend për administratën.
Me këtë rast, Kurti uroi qytetarët e Drenasit për fillimi e këtij projekti, teksa theksoi se synimi kryesor i tij dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që shërbimi dhe kujdesi mjekësor të jenë edhe sa më cilësorë edhe sa më afër qytetarëve.
Burimi: botasot.info