13
Shkup, 8 nëntor – Masa qeveritare që të ketë enkas shportë të vjeshtës ka ndikuar dukshëm në uljen e shpenzimeve për muajin tetor. Kjo metodë dhe këto rezultate dukshëm duhet të shërbejnë si shëmbëlltyrë për të vazhduar tutje. Lehtësimi i jetës së qytetarëve nënkupton krijimi i kushteve të volitshme për të vazhduar jetën në këtë vend. Sepse, me avazin e ngritjes së çmimeve dhe inflacionit në të njëjtën kohë jeta e qytetarëve vetëm sa shkonte e vështirësohej. Kujtojmë që, me vendim të Qeverisë, për 73 produkte ushqimore të përfshira në shportën e konsumit të vjeshtës marzha bruto e fitimit ishte kufizuar në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Ato produkte në markete ishin të shënuara me mbishkrimin “më pak shpenzime, më shumë për ty”. shkruan Zhurnal.
Shpenzimet e jetesës në tetor më të ulëta për 0.7%, ndërsa çmimet e pakicës për 0.1% –
Inflacioni i matur nëpërmjet indeksit të kostos për jetesë në tetor të këtij viti, krahasuar me muajin shtator të vitit 2024, është -0.7 %.
Rënia e inflacionit në tetor të vitit 2024, krahasuar me shtatorin e vitit 2024, është rezultat i rënies së kostos për jetesë në grupet e mëposhtme: Ushqim dhe pije joalkoolike për 2.2 %, Restorante dhe hotele për 1.5 %, Rekreacioni dhe kultura për 0.9 %.
Në tetor 2024, krahasuar me muajin shtator 2024, rritje e kostos së jetesës është vërejtur në grupet e mëposhtme: Pije alkoolike, duhani dhe narkotikë për 3.4 %, Veshje dhe këpucë për 1.4 %, Transporti për 0.7 %, Shëndeti për 0.3 %, Banesa, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse të tjera, mallra dhe shërbime të ndryshme me 0.2 %, Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë dhe komunikime me 0.1%.
Indeksi i çmimeve me pakicë në tetor të vitit 2024 krahasuar me muajin shtator të vitit 2024 është 99.9. Indeksi i kostos për jetesë në tetor të vitit 2024, krahasuar me muajin tetor të vitit 2023, shënon rritje nga 3.5 %, ndërsa indeksi i çmimeve me pakicë shënon rritje nga 3.9 %.
Shpenzimet e jetesës në grupin Arsimi mbetet në të njëjtin nivel si në muajin e kaluar.
Shporta sindikale drejt rënies, kjo është dorë e zgjatur ndaj qytetarëve –
Krahasuar me vlerën e shportës minimale sindikale për shtatorin 2024 e cila parqiste 61.306,00 denarë është pakësuar për 57,00 denarë.
“Me rëndësi është të ceket se masa e Qeverisë prë kufizim të vlerës së marzhave dha një pjesë të rezultatit të dëshiruar, por, për shkak të lakmisë për përfitim tek tregtarët që Shteti duhet të frenojë, ata, kur kuptuan për qëllimin e Qeverisë për këtë masë, i rritën çmimet e të gjitha prodhimeve, ndërsa këtë e konfirmojmë edhe me rritjen e vlerës së disa produkteve ushqimore dhe pijeve në Shportën minimale sindikale për mbi 717 denarë për muajin e kaluar shtator, ndërsa në të njejtën në pjesën e ushqimit dhe pijeve në muajin tetor 2024 e cila paraqet 22.069,00 denarë krahasuar me muajin shtator 2024 ( 23.034,00 denarë) është pakësuar për 965 denarë”, thonë nga LSM.
Sipas tyre, kjo konfirmon se çmimet duhet akoma të ulen, ndërsa rritja e tyre nuk ka kurfarë lidhje me logjikën ekonomike, as me maturinë, por, siç thonë, ka lidhje vetëm me lakminë e cila është gjithnjë e më e shprehur në Maqedoni.
Nga LSM konsiderojnë se gjatë krijimit të masave Qeveria duhet ta kyçë sindikatën në mënyrë që ato të jenë më tl mira, duke pasur parasysh se në masën e fundit 47 kategori të produkteve nga 70, u ndërmorën nga Shporta minimale sindikale të cilën e përgatitë LSM, ndërsa për të cilat e kanë lëvizjen e çmimeve në secilin muaj prej fillimit të vitit. Nga LSM konsiderojnë se nevojiten kontrolle më ë mëdha dhe nëse nevojitet edhe dënime për tregtarët e pandërgjegjshëm të cilët pasurohen në kurriz të punëtorëve dhe qytetarëve.
Zbutja e nivelit të papunësisë duhet të jetë prioritet, sepse papunësia prodhon kriza të tjera që pastaj janë edhe më vështirë për tu menaxhuar e kontrolluar, sikurse ajo e eksodit të të rinjve. Me këtë avaz nuk po largohen vetëm të rinjtë por edhe mosha mesatare e qytetarëve që janë të larguar nga puna ose janë të pakënaqur me punën që e bëjnë. Kjo për shkak se nuk përputhen profesionet e të punësuarve me punën që e bëjnë, dhe me këtë vendi humbë edhe të rinjtë edhe profesionistët të fushave të ndryshme. /Zhurnal.mk
BURIMI: zhurnal.mk