“Vendim arbitrar”/ Urdhri i Prokurorisë për të dhënat e hakeruara ngre shqetësime mbi lirinë e medias, ja çfarë thonë eksperët

min lexim

Për të dytën herë brenda pak kohësh, prokurorët në Shqipëri përdorën nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale për të urdhëruar median të mos publikojë të dhëna të cilat ata i kanë klasifikuar si sekret hetimor, pavarësisht se në njërin prej rasteve, këto të dhëna janë botërisht të përhapura, duke ngritur në këtë mënyrë shqetësime për shkelje të lirisë së medias dhe dyshime për abuzim me këtë të drejtë.

Prokuroria e Tiranës publikoi të martën një njoftim për shtyp, në të cilin thotë se prokurorët kanë gjykuar të arsyeshme të klasifikojnë si sekret të dhënat e rrjedhura nga sulmi kibernetik që dyshohet se ka ardhur nga Irani, dokumente që lidhen kryesisht me emailin e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano. Sipas prokurorisë, Autoriteti i Medias Audiovizive dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare duhet “të urdhërojnë ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, nga mediat audiovizive, të shkruara dhe online, si edhe në rrjetet sociale apo të çdo forme të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi.”

“Një vendim i tillë, nuk ka për qëllim pengimin e veprimtarisë së Medias por është kryer në kuadër të një procedimi penal ku publikimi apo shumëfishimi mediatik i informacioneve të klasifikuara dhe sensitive (që është në vetvete qëllimi kriminal i këtij sulmi), informacione këto të vjedhura, do të cënonte rëndë si ecurinë e hetimeve, ashtu dhe sigurinë e çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftim [Link].

Flutura Kusari, një eksperte e lirisë së shprehjes, e konsideroi urdhrin të tillë që do të mund të klasifikohej si qesharak, nëse nuk do të ishte njëkohësisht “i rrezikshëm”. Sipas Kusarit, urdhri është arbitrar, i përgjithshëm dhe synon të zëvendësojë median dhe rolin e redaktorëve dhe kryeredaktorëve.

“Ndalimi i publikimit të çfarëdo informacioni që rrjedh nga sulmet kibernetike është paragjykues, censurues, arbitrar dhe cënon rëndë lirinë e mediave që ato vetë të gjykojnë se çfarë informacioni duhet të publikojnë,” shkroi Kusari në Facebook.

Shpresoj që gazetarët në Shqipëri por edhe në Kosovë zëshëm dhe fuqishëm do ta kundërshtojnë këtë urdhër koti,” shtoi ajo.

Më herët në qershor, prokurorët e Prokurosisë së Posaçme, SPAK urdhëruan gazetarin Elton Qyno të mos publikojë të dhëna që ai dispononte nga një dosje madhore kriminale që solli 32 urdhra arreste, por që në operacionin për ekzekutimin e tyre, disa nga të dyshuarit më të rëndësishëm të grupeve të ndryshme kriminale, nuk u gjetën dot dhe sot e kësaj dite janë të lirë.

Dosja e rrjedhur duket se përmban informacione policore në lidhje me hetime të ndryshme, të cilat mund të ngrenë pikëpyetje nga media në lidhje me veprimet apo mosveprimet e agjencive ligjzbatuese, përfshirë prokurorët.

E drejta për informim dhe sekreti hetimor

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka shqyrtuar disa raste kur gazetarët kanë publikuar sekrete hetimore. Gjykata ka vendosur në balancë të drejtën për informim dhe lirinë e shprehjes nga njëra anë dhe detyrën e autoriteteve për të kryer me sukses punën e tyre, gjë që bën të nevojshme ruajtjen e sekretit hetimor. Në një rast, në çështjen Akdeniz dhe të tjerë k. Turqisë, gjykata ka gjetur se një urdhër i ngjashëm i lëshuar nga gjykatat turke për ndalimin e publikimit të çfarëdo informacioni të grumbulluar nga një komision hetimor parlamentar në rastin e dyshimeve për korrupsion ndaj disa ish-ministrave, shkel të drejtën e qytetarëve për të marrë dhe dhënë informacione dhe rrjedhimisht është i pavlefshëm.

Në një rast tjetër, një gazetar francez u dënua nga gjykatat franceze pas publikimit të një identikiti policor në lidhje me një rast vrasjeje dhe përdhunimi. Gjykata Evropiane gjeti se në këtë rast, gjykatat e Francës kanë balancuar siç duhet të drejtën për informim me nevojën për të ruajtur sekretin në një hetim penal, si një domosdoshmëri për kryerjen me sukses të hetimit.

Duket se urdhri i prokurorëve shqiptarë për të ndaluar publikimin e çfarëdolloj informacioni nga informacioni i rrjedhur, pa marrë parasysh nëse ky informacion është apo jo i klasifikuar sekret, apo përbën apo jo interes publik, është më i ngjashëm me rastin e Turqisë, të cilin GJEDNJ e ka hedhur poshtë./ Marrë nga BIRN

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Rama e Vuçiç takohen në OKB, presidenti serb: Një përshëndetje e shkurtër me mikun tim

Story i radhës

Zakaria thumbon Juventusin: Do të jem më i lumtur te Chelsea

Të fundit nga