Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në grupmoshat U17 kanë zhvilluar sot ndeshjen e dytë miqësore në stadiumin “Kukës Arena”.
Pas plot 90’ minutave lojë, vëllazërorja e dytë mes këtyre dy kombëtareve përfundoi pa fitues, ku rezultati ishte i barabartë 1:1.
Në fakt, “Dardanët” e rinj ishin shumë pranë fitores pas golit të Elvir Gashjanit në minutën e 53’, por Shqipëria arriti që përmes një penalltie të fituar ta barazojë rezultatin përmes golit nga Adi Kurti në minutën e 88’.
Ndërkaq, miqësorja e parë kishte përfunduar me fitore minimale 1:0 në të mirë të “Kuqezinjve” të rinj.
Paraqitja e djelmoshave tanë ishte e mirë, ndërkaq këto dy miqësore i shërbyen trajnerit Arsim Abazi për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet e ciklit kualifikues për Evropian në vjeshtë të këtij viti.