Vëllau i Rexhep Selimit tregon emocionet e daljes së parë publike të UÇK-së

November 28, 2024
min lexim

Të zbehta vazhdojnë të jenë festat e nëntorit në familjen Selimi, tash e pesë vite. Për vëllaun e Rexhep Selimit, lufta e drejtë e UÇK-së, mirë që po mbrohet nga katërshja që ndodhet në Hagë. Megjithatë, ai shpreson se nëntorin e ardhshëm, do ta presin bashkë me ish krerët në liri.

“Nga gjiri i këtij populli, lindi ushtria për çlirimin e Kosovës, si e vetmja forcë…”

Kjo shënon daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj, ishin ushtarët e parë të UÇK-së, që dolën publikisht, me rastin e varrimit të mësuesit, Halit Geci në Llaushë të Skenderajt më 28 nëntor të vitit 1997.

Nga kjo paraqitje, 10-shin e UÇK-së mezi e njohu edhe familja e tij.

“Kur ka dalë ai, unë e kam njoftë në bazë të zanit, në bazë të fjalive që i ka thanë aty dhe në bazë të lëvizjeve të duarve e të trupit. Mirëpo, më konkretisht nuk kam mujt me ditë kush janë këta të tjerët, se ata të tjerët, Muja ka qenë i maskum që për mua nuk e kam njoftë me ato syze dhe mjekërr të gjatë. Kurse për Dautin, mund të them që për herë të parë e kam parë aty”, ka deklaruar Ramadan Selimi – vëllau i Rexhep Selimit.

Për të pestin vit, 28 nëntori, Rexhep Selimin nuk e gjen në Kosovë, por në qendrën e paraburgimit në Hagë, nën akuzat për krime lufte.

Mungesën e Selimit, familja ia ndien në çdo festë.

“Normal që Rexha na mungon dhe festat janë të zbehta pa Rexhën. Mirëpo, kur e mendojmë atë të përgjithshmen, prapë se prapë themi se jemi në rregull. Sepse ai është atje për çështje më të mëdha.”

Vëllau i Rexhep Selimit, pohon se pastërtia e luftës çlirimtare, e ka merituar që të mbrohej nga katërshja e UÇK-së.

“Unë shpeshherë kam folur me Rexhën dhe shokët e tij në Hagë, të cilët veç nëse është dashur që dikush të jetë edhe të thirret, e ta mbrojë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, atëherë njerëzit më kompetentë jeni ju. Edhe ajo ka ndodhë. Më mirë që kanë shku këta, se sa të kishte shkuar dikush tjetër”, tha ai.

Për nëntorin e ardhshëm, familja Selimi ka shpresa se do të jenë të kompletuar.

“Uroj që në vitin e ardhshëm, më 28 nëntorin tjetër, ta kemi Rexhën këtu, bashkë me shokë.”

Rexhep Selimi bashkë me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, ndodhen nën masën e paraburgimit nga nëntori i vitit 2020.

Burimi: botasot.info

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Do të hetohet puna e udhëheqësive në konviktet e nxënësve dhe studentëve ku ka indikacione të rënda për krim

Story i radhës

“Rrebeshe intensive e dëborë”, meterologia bën paralajmërimin

Të fundit nga

ShkoLartë