Pamjen e tij, kur e pa për së fundi herë e ka ende te freskët edhe pas 25 vjetësh.
Kujtimet ja lehtësojnë mallin për të vëllain, andaj Hasan Dreshaj vjen çdo 1 maj në varrezat e fshatit Nabërgjan të Pejës.
Ai kujton momentin kur vëllau i tij ishte vrarë në masakrën e këtij fshati nga forcat serbe në vitin 1999.
“Këtu kam qenë, vëllau është vra në oborrin e shtëpisë së vjetër ku ka qenë duke u kujdes për pasuri dhe befasishëm kanë hyrë forcat serbe dhe është vrarë vëllau dhe është plagos djali i agjës, Qerimi dhe njëkohësisht i kanë vra të gjithë këta bashkëfshatarë ku i kanë zënë nëpër shtëpi të tyre, apo fusha” , tregon ai.
Pavarësisht dhimbjes, ai ndjehet krenar për veprën e të rënëve për liri.
“Vëllau është marrë me blegtori në atë kohë dhe meqenëse ka qenë pa punë sikurse gjithë shqiptarët kështu që është dashtë me siguru mbijetesën dhe në përkujdesje për pasurinë e tij dhe në oborrin e shtëpisë së tij është vrarë nga forcat serbe”, shprehet Dreshaj.
Edhe Isuf Ibërdemaj ka shumë familjarë qe ishin u vranë në këtë masakër.
“Këtu thuajse të gjithë jemi familjarë në mes vete, dajë nipa por specifikisht të familjes sime i kam 7 migjallarë e kushëri të afërt edhe një djalë halle 14 vjeç, pra prej 14 deri në moshën 95 vjeç”
Madje tregon se si e afërmja e tij i kishte parë trupat e të vdekurve, shumë prej te cilëve ishin djegur nga paramilitarët serbë.
“Ata që kanë qenë burra të gjithë aty na i kanë vra, një herë i kanë maltretu përballë grave e fëmijëve pastaj i kanë hyp në njërën prej odave të vjetrave i kanë ekzekutu sepse janë dëgju rafallat pastaj i kanë masakru me shpatat e tyre edhe përfundim i kanë kallë edhe është djegë krejt oda bashkë me tre vëllezër dhe një kushëri i joni atëherë”, thotë ai.
Në fshatin Nabërgjan të Pejës, me 1 maj të vitit 1999 ishin vrarë 31 persona, trupat e dy prej të vrarëve ende nuk janë gjetur.