Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velaij duke folur për zgjedhjet e 14 majit u shprehet se Tirana nuk do t’ia dije se kush është ‘Luli i radhës’, që cakton dyshja e krerëve te opozitës.
Ai nënvizoi se sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e njerëzve duan që gjërat të vazhdojnë përpara. “Sondazhet janë jashtëzakonisht pozitive, shumica dërrmuese e njerëzve duan që gjërat të vazhdojnë përpara, duan që Tirana të mbajë këtë ritëm, që të vazhdojë të rritet vlera e pronës, duan që të vazhdojë progresi i qytetit dhe reputacioni që ka qyteti. E duan qytetin me kaq shumë aktivitet dhe me jetë. Shumica dërrmuese, edhe ata që nuk na kanë votuar herën e parë, thonë: Partia ime kryesore janë fëmijët – çerdhet, kopshtet, shkollat janë transformuar në Tiranë, prandaj ne do te ecim përpara. Është fakt se zona rurale, ku ne tipikisht kemi qenë në opozitë, sot masivisht votojnë këtë llojë progresi”, theksoi ai për News24.
“Për ne nuk ka rëndësi se kush do jetë Luli i radhës. Opozita e gruas dhe e burrit ka ndryshuar emrin dhe niptin – këto janë budallallëqet e tyre – por në thelb, janë po këta njerëz, Saliu dhe Iliri, që kemi 30 vjet që i njohim dhe që ende nuk po thonë nëse kanë bërë dot një shkollë në Tiranë. Propozimi ynë është: Ata që bënë 43 shkolla, të bëjnë edhe të fundit, të mbarojnë të gjithë transformimin e Tiranës. Kjo do jetë beteja. Pastaj jam i sigurt se secila prej opozitave do ketë kandidatët e vet”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se Berisha dhe Meta i përkasin së kaluarës dhe i kërkojnë votat vetëm për interesat e tyre personalë. “Ne s’kemi më garë me Ilir Metën dhe Sali Berishën, ata i përkasin të kaluarës, i duan votat kryesisht për të larë hesapet e tyre. Punët e tyre i kanë në terezi në Gjirin e Lalzit edhe nëpër të gjithë komoditetet në kullat e Tiranës, ku bëjnë aktivitete dhe ku kanë zyrat dhe shtëpitë. Por, unë besoj se beteja është jo me ata personalisht, është mes të ardhmes që ne propozojmë dhe të kaluarës ku ata na kthejnë pas. Po të shikosh edhe retorikën e tyre, nuk është se e duan Tiranën se kanë një ide brilante për të bërë punë. ‘Të kem këshillin bashkiak’ – thotë Ilir Meta- ‘që të bllokoj bashkinë që të bëjë projekte’. Ai tjetri thotë ‘të kem mjaftueshëm, që të justifikohem në gjykatë per të marrë vulën’. Po të shikosh në retorikën e Ilirit dhe Saliut, asnjëri nuk flet për njerëzit, secili po flet vetëm për hallet e tyre personale”, tha Veliaj.
FESTIMET
Erion Veliaj zbuloi shumë prej aktiviteteve të cilat do të organizohen gjatë këtyre ditëve gjer në natën e ndërrimit të viteve për të cilën është menduar një koncert.
“Do të kemi ndoshta spektaklin më të bukur të fishekzjarrëve këtë fundvit, do kemi disa këngëtarë të njohur, edhe ndonjëherë ngurojmë t’i marrim fëmijët kur moti është i ftohtë. Do të kemi patjetër një spektakël të jashtëzakonshëm fishekzjarrësh, edhe një koncert gjithashtu. Ne do ta mbajmë sheshin të angazhuar me aktivitetet e fundvitit deri në mes të janarit, sepse duam që të gjithë fëmijët të gëzojnë.
Ndërkohë që na rezulton edhe nga hyrjet në parking, edhe në aktivitetet në shesh që vijnë edhe shumë jo vetëm shqiptarë rreth e qark nesh, por vijnë edhe nga qytetet e tjera. Kështu që duam që të gjithë fëmijët e Shqipërisë të kenë një mundësi edhe mbas festave të jenë këtu në Tiranë dhe të gëzojnë nga këto aktivitete”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se kjo periudhë është dhe një mundësi shumë e mirë për të gjeneruar ekonomi për qytetin. “Thirrja që dua t’u bëj qytetarëve është, duhet të kuptojmë që kur blejmë një gjel nga Baldushku, ose kur blejmë vaj nga Ndroqi, ose kur blejmë verë nga Lundra, ose kur blejmë domate e vona, domatet e zeza të Shëngjergjit, nuk kemi blerë vetëm artikujt me të cilët shtrojmë tryezën e Vitit të Ri, kemi blerë dhe librat e një vajze të vogël në Baldushk që do të bëhet nesër doktoreshë, kemi blerë edhe atletet e një çuni të vogël në Lundër që nesër do bëhet futbollist i njohur. Kështu që thirrja ime është që siç flasim për turizëm patriotik, duhet të flasim edhe për një fundvit patriotik”, nënvizoi Veliaj.