Bashkia e Tiranës do të subvencionojë 50% të kostos së konvikteve, si dhe do të japë abone falas për të gjithë studentët. Vendimi është marrë nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, i cili u bë publik nga kryebashkiaku, Erion Veliaj. Vendimi ka të bëjë me faktin e pasojave ekonomike që po ndihen edhe në vendin tonë, si pasojë e luftës në Ukrainë
Kryebashkiaku i Tiranës, tha se kompensimi i biletës së pajtimit mujor të përgjithshëm për studentët do të vlejë për të gjitha linjat e transportit qytetës në Bashkinë e Tiranës për periudhën tetor 2022 – qershor 2023. Ndërkaq, pajisja e studentëve me abone studenti, do të bëhet falas nëpërmjet sistemeve elektronike të Kartës së Studentit.
“Për të gjithë studentët që kanë Kartë Studenti, mjafton paraqitja e kartës së studentit në pikat ku japim abonetë falas. Ne duam që ata ta marrin fizikisht abonenë me kartën e studentit, që kompanitë e transportit të mos i bien me top sepse nuk janë lekët tona, ndaj duhet t’i japim me transparence, që të sigurohemi që çdo student që e përdor abonenë të subvencionohet duke ia çuar ne pagesën kompanisë dhe jo studenti. Do kërkojmë që studentët ta marrin kartën e studentit, e cila jepet falas, në të gjitha fakultetet tona, pastaj me kartën e studentit të marrin abonenë. Ne numërojmë të gjitha abonetë e dhëna dhe në fund të çdo muaji, bashkia do të bëjë rimbursimet tek kompanitë, që studentët ta kenë transportin falas”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku informoi se studentëve do u lehtësohet edhe tarifa e konviktit, gjysmën e të cilës do e paguajë bashkia.
“Të njëjtën gjë po bëjmë edhe për koston e konvikteve. Duam ta subvencionojmë 50%. Një rrugë më pak ose një investim më pak, të cilin mund ta bëjmë edhe vitin tjetër, kur të mbarojë kjo luftë e mallkuar dhe ky inflacion i mallkuar, që s’e kemi ne në dorë, por ama studentët i mbrojmë sot me transport falas dhe konvikte me 50% të kostos”, nënvizoi ai.