Vdes në moshën 93 vjeçare ikona e televizionit amerikan, Barbara Walters

min lexim

Barbara Walters, një nga gazetaret më të njohura të televizionit amerikan si drejtuesja e parë femër e lajmeve në mbrëmje në rrjetet televizive dhe një nga intervistueset më të famshme në TV, vdiq të premten në moshën 93-vjeçare, tha televizioni ABC.

Zonja Walters, e cila themeloi emisionin popullor të ABC-së për gratë “The View” në vitin 1997, vdiq në shtëpinë e saj në Nju Jork, tha në një deklaratë Robert Iger, shefi ekzekutiv i kompanisë Walt Disney që ka në pronësi ABC-në.

Rrethanat e vdekjes së saj nuk janë publikuar.

“Barbara ishte një legjendë e vërtetë, një pioniere jo vetëm për gratë në gazetari, por edhe për vetë gazetarinë,” shkruante zoti Iger.

Në një karrierë televizive që përfshiu pesë dekada, zonja Walters intervistoi një sërë udhëheqësish botërorë, përfshirë Fidel Castron e Kubës, kryeministren Margaret Thatcher të Britanisë, sundimtarin libian Moammar Gadafi, diktatorin irakian Saddam Hussein, presidentët rusë Boris Yelcin dhe Vladimir Putin, dhe çdo president dhe zonjë të parë në Shtetet e Bashkuara që nga Richard dhe Pat Nixon.

“Kurrë nuk e kisha menduar se do të kisha një jetë të tillë,” tha Barbara Walters në një intervistë për gazetën Chicago Tribune në vitin 2004. ” Ndoshta kam takuar më shumë njerëz, më shumë krerë shtetesh, njerëz më të rëndësishëm, madje më ndoshta edhe më shumë se çdo president (amerikan), sepse ata kanë janë në pushtet vetëm për tetë vjet.”

Kritikët e zonjës Walters thonë se ajo bënte shumë shpesh pyetje të buta

Poir ajo dinte të bënte edhe pyetje të forta.

“E kam pyetur Yelcinin nëse pinte shumë dhe Putinin nëse kishte vrarë njeri,” i tha zonja Walters gazetës New York Times në vitin 2013. Përgjigjia e të dyve ishte “jo”.

Intervistat e personave të famshëm ishin gjithashtu një pjesë e rëndësishme e karrierës së zonjës Walters.

Barbara Walters u lind në Boston. Babai i saj, Lou Walters, ishte pronar klubi nate dhe agjent talentesh.

Pas diplomimit në Kolegjin “Sarah Lawrence”, ajo punoi për marrëdhënie me publikun përpara se t’i bashkohej emisionit “Today” të televizionit NBC si gazetare dhe producente në vitin 1961. Ajo filloi të shfaqej në ekran me reportazhe dhe u bë kontribuese e rregullt në program.

Ishte pikërisht në atë kohë kur ajo filloi të haste rezistencë. Prezantuesi i emisionit “Today”, Frank McGee ishte kundër pranisë së saj dhe u përpoq të kufizonte rolin e saj para kamerës.

Pas 13 vitesh në “Today”, zonjës Walters iu ofrua një kontratë e paprecedentë prej 1 milion dollarësh në vit për të kaluar në rrjetin rival ABC në vitin 1976. Ajo hyri në histori si gruaja e parë bashkë-prezantuese në një edicion qendror lajmesh në SHBA.

Drejtuesi tjetër Harry Reasoner, e bëri të qartë pakënaqësinë e tij për të edhe në transmetim të drejtpërdrejt.

“Këta ishin me të vërtetë shumë brutalë me mua dhe nuk ishte diçka këndshme,” i tha zonja Walters gazetës “San Francisco Examiner”. “Për një kohë të gjatë, nuk flisja dot për atë periudhë pa u përlotur. Ishte e tmerrshme të hyja çdo ditë në një studio ku askush nuk më fliste”.

Në vitin 1978, Barbara Walters kaloi në emisionin “20/20” dhe qëndroi në atë program për 25 vjet. Shansi për t’u intervistuar nga zonja Walters në “20/20” ose në specialet e saj të shumta, u sillte një ekspozim të garantuar subjekteve të saj.

Në vitin1977, ajo realizoi një intervistë të përbashkët me presidentin egjiptian Anwar Sadat dhe kryeministrin izraelit Menachem Begin përpara se dy vendet të arrinin një marrëveshje paqeje.

Zonja Walters u bë aq e njohur sa fama e saj ndonjëherë linte në hije ata që ajo intervistonte. New York Times e cilësoi atë “personalitetin më të njohur televiziv të Amerikës”, por shtoi gjithashtu se “ajo që mbajmë mend nga intervistat e Barbara Waltersit, është Barbara Walters.”

Në vitin 1997, zonja Walters solli në ekranin e ABC-së emisionin “The View”, një tryezë e rrumbullakët për gratë. Ajo doli për herë të fundit si moderatore e emisionit në vitin 2014, por vazhdoi të lunate rol si producente ekzekutive e programit dhe vazhdoi të bënte intervista dhe speciale të herëpashershme për ABC News.

Tri martesat e zonjës Walters – me biznesmenin Robert Katz, producentin e teatrit Lee Guber dhe ekzekutivin e televizionit Merv Adelson – përfunduan në divorc. Ajo gjithashtu kishte partnerë të profilit të lartë si Alan Greenspan, ish-kreu i Rezervës Federale dhe John Warner, i cili më vonë do të bëhej senator nga Virxhinia.

Në karrierën e saj, ajo fitoi 12 çmime Emmy, 11 prej tyre kur ishte në ABC News, tha rrjeti televiziv.

Zonja Walters lë pas vajzën e saj, Jacqueline Danforth./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Boris Johnson uron Vitin e Ri: Gjërat do të përmirësohen në vitin 2023

Story i radhës

Ekspertët zbulojnë 5 gjërat për të cilat çiftet zihen më shumë para Vitit të Ri

Të fundit nga