Prokuroria e Sarandës ka tentuar dy herë ditët e fundit të vendosë masën e sigurisë “Arrest në burg” për 14 vjecarin O. K nga fshati Stjar i Delvinës, drejtues i automjetit me të cilin u aksidentua mbrëmjen e 21 nëntorit i mituri 14-vjeçar Arjol Dervishaj, i cili ndërroi jetë disa ditë më pas në spital. Megjithatë Gjykata e Sarandës e ka refuzuar të dyja herët kërkesën duke vendosur masën “Arrest në shtëpi”.
Ka qenë prokurorja Esmeranda Basho ajo që ka paraqitur fillimisht në 5 dhjetor në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për 14 vjecarin O. K. për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/4 i Kodit Penal duke argumentuar se ekzistojnë kushtet e përgjithshme dhe kushtet e veçanta (rreziku i largimit dhe i përsëritjes të së një njëtit krim), pasi vlerësohet si masa më e përshtatshme në proporcion me sanksionin e veprës dhe rëndësinë e faktit.
Dy ditë më pas, gjyqtarja Edona Vajushi e ka refuzuar këtë kërkesë, duke caktuar masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” në mungesë me argumentin: “Gjykata duke marrë në konsideratë moshën e re të të miturit i cili vetëm më datë 30.06.2023 ka mbushur 14 vjeç, interesin më të lartë të të miturit, pjekurinë mendore të një moshe të tillë, gjendjen shëndetësore të të miturit duke qenë se edhe vetë është i dëmtuar si pasojë e aksidentit, vendin ku ka ndodhur ngjarja (rrugë interurbane dytësore), faktin që veprat penale për të cilat dyshohen kryhen me dashje, por pasojat në veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit vijnë nga pakujdesia, personalitetin e të miturit i cili rezulton i padënuar më parë, pasojat e ardhura deri në këtë moment të shqyrtimit siç janë vdekja e një pasagjeri dhe plagosja e rëndë e pasagjerit tjetër, çmon se masa më e përshtatshme në raport me shkallën e nevojave të sigurimit është ajo e “Arrestit në shtëpi”, parashikuar në nenin 237 të K.Pr.Penale”.
Vendimi i Gjykatës është ekzekutuar ditën e nesërme, rreth orës 15.10 nga Oficeri i Policisë Gjyqësore të Komisariatit të Sarandës, i cili ka siguruar në banesë të dyshuarin 14 vjecar.
Dy ditë më pas, në 10 dhjetor, 14 vjecari O. K është sjellë në Gjykatën e Sarandës për t’u njohur me masën e sigurisë të caktuar ndaj tij. Sërish Prokurorja Esmeranda Basho ka tentuar të vendosë masën e sigurisë “Arrest në burg” ndaj tij, duke paraqitur kërkesë për ndryshimin e vendimit të datës 7 dhjetor të gjyqtares Edona Vajushi me argumentin e “rrezikshmërisë shoqërore të veprës dhe të të miturit, rëndësinë e faktit dhe sanksionin e parashikuar për këtë vepër”. Por ka qenë sërish gjyqtarja Edona Vajushi ajo që ka rëzuar kërkesën e Prokurorisë me argumentin se “edhe pas marrjes në pyetje të personit të arrestuar, gjykata vlerëson se nuk rezultoi ndonjë rrethanë e re, që nuk është mbajtur parasysh nga gjykata në caktimin e masës së sigurimit, në mungesë”, duke caktuar sërish masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” ndaj tij.
Rreth orës 19:00, shtetasi O. K., i datëlindjes 30.06.2009, banues në Stjar, Delvinë, ka qenë duke drejtuar automjetin “Mercedes-Benz”, me targa AA 612 AC, me drejtim lëvizje nga Bajkaj për në fshatin Stjar. Si pasagjerë ndodheshin dhe shtetasit Arjol Devishaj, i datëlindjes 29.06.2009, banues në Vllahat, Delvinë dhe F. H., i datëlindjes 24.04.2010, banues në Delvinë. Midis Njësive Administrative Bajkaj dhe Stjar shtetasi O. K. ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal. Si pasojë, të tre shtetasit që ndodheshin në automjet kanë marrë dëmtime dhe janë dërguar në spitalin e traumës Tiranë. Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, janë marrë mostra gjaku me tampon në sedilen e parë të krahut të majtë (të shoferit). Ju është marrë mostër gjaku shtetasve O. K., Arjol Dervishaj dhe F. H. për ekzaminime laboratorike.
Është bërë sekuestrimi i automjetit dhe është lënë në ruajtje në Postën e Policisë Livadhja. Janë pajisur me vendim ekspertimi mjeko-ligjor shtetasit O. K., Arjol Dervishaj dhe F. H. Është marrë deklarimi i shtetasit Orest K. (babai i të miturit në konflikt me ligjin), i cili ka sqaruar se automjeti është në pronësinë e tij, në përdorim nga bashkëshortja dhe se në drejtim të automjetit ka qenë djali i tij. Në momentin e aksidentit shtetasi Orest K. ka qenë në Sarandë dhe është njoftuar në telefon nga një prind i fëmijës që ndodheshin në automjet. Disa ditë pas ngjarjes shtetasi i mitur Arjol Dervishaj ka ndëruar jetë në spitalin e Traumës Tiranë.
Është marrë deklarimi i të miturit në konflikt me ligjin O. K. i cili ka deklaruar se i ka thënë vëllait të marr çelësat e mjetit mbi komedinë. Ka dalë nga rruga dhe nuk i kujtohet çfarë ka ndodhur më pas. Nga komunikimi me policinë gjyqësore rezulton se i mituri në konflikt me ligjin pas trajtimit në spital ka dalë nga spitali.