Pasi Finlanda shtroi kërkesën për t’u anëtarësuar në NATO, tensionet mes kësaj të fundit dhe Rusisë nuk kanë qenë kurrë më të larta. Rusia mori edhe vendimin për t’i ndërprerë furnizimin me gaz Finlandës, pasi kjo e fundit refuzoi të paguante me rubla. Konfliktet aktuale, të nxitura edhe nga lufta në Ukrainë, kanë risjellë në kujtesë edhe konfliktin e hershëm të armatosur të vitit 1939, kohë kur ushtarët e Ushtrisë së Kuqe u gjendën përballë trupave finlandeze.
Më shumë se 80 vjet më parë, Finlanda e vogël tregoi forcën përballë Bashkimit Sovjetik, kur diktatori Joseph Stalin urdhëroi pushtimin e saj, pasi qeveria finlandeze refuzoi të hiqte dorë nga një territor i konsiderueshëm.
“Lufta e Dimrit” u zhvillua në vitet 1939-1940, nisi më pak se tre muaj pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore dhe tregoi se Finlanda po përdorte taktika novatore për të sfiduar shpresat dhe ambiciet e rusëve për një fitore të shpejtë.
Në atë kohë, Rusia humbi më shumë se 300 000 ushtarë, 3 500 tanke dhe rreth 500 avionë. Finlanda nga ana tjetër humbi vetëm 29 000 mijë trupa.
Një prej ushtarëve që ka ngjallur frikë në zemrat e ushtarëve të Ushtrisë së Kuqe gjatë asaj kohe, ka qenë edhe Simo Hajhas, i njohur ndryshe si “Vdekja e Bardhë”. I mbështjellë me kostumin e bardhë të dëborës me kapuç, që i dha atij edhe pseudonimin e frikshëm, snajperi finlandez luftoi vetëm 98 ditë, por u kthye në tmerrin e rusëve.
Hajhas, i cili e kishte mësuar zanatin e tij duke gjuajtur kafshë në pyllin ku ishte rritur, strukej në të çara ose gropa që i hapte në pigjet me dëborë. Snajperi bëri më shumë se 500 vrasje, mesatarisht pesë në ditë duke u kthyer shumë shpejt në një hero kombëtar. Në ditarin e tij ai i quajti “500 mëkatet e tij” dhe pas luftës nuk foli më kurrë për këto vrasje.
“Vdekja e Bardhë” nuk pranoi kurrë të nderohej me statuja apo në ditë përkujtimore.