Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës hyri sot në javën e tij të katërt. Forcat ushtarake ruse ndodhen të bllokuara kryesisht jashtë qyteteve të mëdha dhe vazhdojnë t’i bombardojnë ato nga distanca, duke shkaktuar një numër të madh viktimash.
Në qytetin jugor të rrethuar të Mariupolit, një sulm ajror nga forcat ushtarake ruse shkatërroi një teatër ku ishin strehuar qindra njerëz sipas zyrtarëve ukrainas. Numri i viktimave mbetet i paqartë pasi hyrja e teatrit është bllokuar nga mbeturinat.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba e cilësoi sulmin një krim të tmerrshëm lufte. Disa imazhe satelitore të kompanisë amerikane të teknologjisë hapësinore ‘Maxar’ tregonin se në dy anë të godinës, para dhe pas saj, ishte shkruar me gërma të mëdha në rusisht fjala fëmijë, duke nënkuptuar se në godinë strehoheshin fëmijë.
Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi të mërkurën të ketë bombarduar ndonjë objektiv në Mariupol.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara më shumë se 3 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga vendi për shkak të luftës. Numri i persona që kanë humbur jetën që nga fillimi i agresionit rus mbetet ende i paqartë, por autoritetet Ukrainase kanë thënë se kanë vdekur me mijëra civilë.