Studentët serbë vazhdojnë t`i bllokojnë rrugët te Fakulteti Filologjik në Beograd.
Ata po kërkojnë që të plotësohen kërkesat lidhur me tragjedinë në Novi Sad, të cilat përfshijnë dorëheqjen e kryeministrit, përgjegjësinë penale por edhe ndjekjen e atyre që sulmojnë qytetarët gjatë protestave.
Rreth 30 fakultete të tjera në Serbi janë në bllokadë, derisa edhe aktivistë, opozita, madje edhe nxënës po protestojnë. Revolta e qytetarëve po rritet.
“Pushteti duhet të marrë përgjegjësinë dhe të parandalojë përshkallëzimin, sepse vazhdimi i kësaj sjelljeje do ta çojë shoqërinë në një spirale të rrezikshme”, tha Miodrag Jovanoviq, profesor i Fakultetit Juridik.
Gjatë protestave të qytetarëve shpesh ndodhin provokime nga huliganë të maskuar, të lidhur me partinë në pushtet.
Tabloidet etiketojnë studentët, dhe qeveria i akuzon për bashkëpunim me “agjentë të huaj”, derisa arreston politikanë opozitarë dhe aktivistë. Opozita paralajmëron për rritjen e represionit.
“Represioni po bëhet gjithnjë e më i fortë. Qytetarët kudo që shprehin pikëpamjet e tyre politike, hasin në një formë represioni nga regjimi. Vuçiq nuk kupton se ekzistojnë njerëz që represioni nuk do t’i frikësojë. Sa më i madh të jetë presioni, aq më i fortë do të jetë kundërshtimi”, tha Dragana Rakiq nga Partia Demokratike.
Disa organizata joqeveritare kanë paralajmëruar për rritjen e represionit ndaj qytetarëve që protestojnë, ndërkohë që qeveria vazhdon të mos tregojë gatishmëri për t’iu përgjigjur pakënaqësive të rritura në shoqëri.
Burimi: botasot.info